Është Xhelal Mziu, deputet i qarkut Dibër, që trajton situatën e keqe të kësaj rruge.
Në rrjetet sociale, Mziu shkruan si më poshtë:
Bulqizë, degradohet rruga kufitare Çerenecë – Trebisht paralel me kufirin me Maqedoninë e Veriut.
Qeveria e Rilindjes zonën e Gollobordës e shikon me syrin e njerkës!
Kjo është rruga që lidh mbi 15 fshatra me Bulqizën e Dibrën.
Por ajo u hap rreth një shekull më parë si rrugë kufitare e cila shërbente për të vëzhguar kufirin me ish jugosllavinë.
Të njëjtin funksion e ka edhe në ditët e sotme kur patrulla e kufirit lëviz shpesh për të vëzhguar dhe ndaluar hyrjet e paligjshme nëpërmjet kufirit të gjelbërt.
Por, për banorët e fshatrave që e përdorin këtë rrugë, shqetësimi më i madh i tyre është gjendja e rrugës e cila është thuajse e pakalueshme për shkak të gropave të shumta dhe të mëdha që nga ura e Çerenecit e deri në Trebisht.
Banorët thonë se janë shpenzuar me qindra miliona lekë për mirëmbajtje duke i mbushur gropat me zhavor, ndërsa me aq para sa janë shpenzuar në këto vite do të ishte shtruar tre herë me asfalt.
Kjo rrugë ka vite që nuk po mirëmbahet, ndërsa qeverisja qendrore dhe ajo vendore, po luajnë pingpong me njëri tjetrin se kush e ka kopetencë investimin e saj, Autoriteti Rrugor Shqiptar apo Bashkia Bulqizë.
Ato që e pësojnë janë banorët e dhjetra fshatrave në këtë aks rrugor, për qarkullimin e automjeteve të tyre.


