Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një grafik për ecurinë e kursit të këmbimit euro-lek, përmes të cilit kundërshton pretendimin se zhvlerësimi i monedhës evropiane në Shqipëri është pasojë e rritjes së numrit të turistëve. Sipas tij, shkaku kryesor i rënies së euros lidhet me aktivitetin e karteleve të drogës dhe parave që ato fusin në ekonominë shqiptare.
Në një deklaratë, Berisha solli si shembull vitet 2007 dhe 2022, duke krahasuar numrin e turistëve me kursin e këmbimit. Sipas shifrave që ai paraqiti, në vitin 2007 Shqipëria kishte rreth 1.8 milionë turistë, ndërsa një euro këmbehej me rreth 120 lekë. Ndërkohë, në vitin 2022, kur numri i turistëve, sipas statistikave zyrtare, arriti në rreth 9 milionë, euroja këmbehej me rreth 127 lekë.
Duke u bazuar në këtë krahasim, kreu i PD-së pretendon se rritja e fluksit turistik nuk mund të jetë shpjegimi për zhvlerësimin e fortë të euros në vitet e fundit. Ai akuzoi qeverinë dhe institucionet financiare se po përdorin turizmin si justifikim për të fshehur atë që e cilësoi si fenomenin e “narko-euros”.
Sipas tij, zhvlerësimi më i fortë është vërejtur nga viti 2022 e në vijim, periudhë gjatë së cilës, pretendon Berisha, kartelet shqiptare të drogës kanë zgjeruar ndikimin e tyre në tregun evropian të kokainës dhe kanë shtuar aktivitetin financiar.
“Me gjithë 9 milionë turistë në Shqipëri, euro konvertohej me 127 lekë, pra ishte më e fuqishme sesa në vitin 2007, kur ajo konvertohej me 120 lekë”, deklaroi Berisha.
Ai e cilësoi rënien e euros një zhvillim dramatik për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, duke akuzuar institucionet për heshtje përballë fenomenit.
“Heshtja para këtij krimi monstruoz ndaj ekonomisë dhe xhepave të shqiptarëve është bashkëfajësi, është mbështetje për këtë zhvillim”, përfundoi kreu i PD-së.
Berisha pretendon se zhvlerësimi i euros lidhet me flukset e parave nga aktiviteti kriminal, ndërsa e kundërshton shpjegimin se turizmi është faktori kryesor që ka ndikuar në kursin e këmbimit.
Berisha: Ky është një grafik jashtëzakonisht i rëndësishëm. Dëgjoni rëndom avoketërit e narkoshtetit dhe narko-euros, se euro ka rënë nga turizmi.
Por studimi i raportit të euros me turizmin e hedh absolutisht poshtë këtë pretendim.
Në vitin 2005 Shqipëria ka pasur 300 mijë turistë në vit. Në vitin 2007 Shqipëria ka pasur rreth 1 milion e 800 mijë turistë në vit. Raporti euro me lekë ka qenë 1 euro 120 lekë, kur Shqipëria kishte pra 1.8 milion turistë.
Shkojmë në vitin 2022. Për mashtruesit publikë që u thonë shqiptarëve se euro po bie nga fluksi i turistëve. Në vitin 2022, kur sipas statistikave të narkoqeverisë turistët arritën në 9 milion turistë nga 1.8 milion që ishin, euro konvertohej, jo më me 120, konvertohej me 127 lekë.
Dhe t’i bëjmë një pyetje zotit Guvernator dhe bordit të Bankës: Do mund t’u thoni prapë shqiptarëve se të maskoni narko-euron me turizmin?
Urdhëroni zotërinj. Në vitin 2022, euro konvertohej me 127 lekë, pavarësisht nga fluksi i turizmit prej 9 milionë. Që, sipas statistikave zyrtare, se absolutisht nuk e besoj se këta fusin në turistë të gjithë pasagjerët e linjave të lira, të aeroportit të Rinasit. Por po e marr atë shifër.
Me gjithë 9 milionë turistë në Shqipëri, euro konvertohej me 127 lekë, pra ishte më e fuqishme sesa në vitin 2007 kur ajo konvertohej me 120 lekë.
Kështu që fluksi, domethënë, zhvlerësimi i euros dhe veçanërisht shiko çfarë rënie, thyerje qafe, nga viti 2022 e këtej, ku bosët e drogës, kartelet e drogës të Shqipërisë kanë pushtuar tregun e kokainës dhe janë transportuesit më kryesorë të saj në Europë, janë kontrolluesit dhe aksionerë kryesorë, ka rënë, këtu thotë 99 se është viti 2024, por sot është tek 91 lekë, 92 lekë.
Pra, ky është një zhvillim dramatik për ekonominë shqiptare, për shoqërinë shqiptare dhe për Shqipërinë.
Heshtja para këtij krimi monstruoz ndaj ekonomisë dhe xhepave të shqiptarëve është bashkëfajësi, është mbështetje për këtë zhvillim.

