Në 28 tetor 2026, gjyqtarja e seancës preliminare (GUP) në Tribunalin e Catanzaros, Marilena Sculco, hodhi poshtë përjashtimet e mbrojtjes për papërdorshmërinë e bisedave Sky ECC në procesin “Kleopatra”. Urdhëresa e saj prej dhjetë faqesh u lexua në seancë dhe konfirmoi që bisedat e marra nga Franca mbeten në dosje. Procesi i shkurtuar (giudizio abbreviato) vazhdon kundër një rrjeti të supozuar të trafikimit ndërkombëtar të drogës të lidhur me cosca-n Gallace të Guardavalle. Ky vendim vjen pas një vendimi të kundërt në procesin “Ostro”, ku GUP Gilda Danila Romano i deklaroi të njëjtat biseda të papërdorshme dhe doli me 34 lirime e 16 dënime. Dy gjyqtarë të të njëjtit nivel, të njëjtit material dhe të njëjtit rreth, dy përfundime të ndryshme në të njëjtin shtet, Itali.
Ky ndryshim tregon se beteja mbi Sky ECC vijon pavarsisht deshtimeve te avokateve. Po kush janë ata?
Në anën e mbrojtjes, avokatët Giuseppe Gervasi dhe Vincenzo Sorgiovanni kanë qenë në frontin e kësaj beteje në Itali. Ata përfaqësojnë mes të tjerëve Cesare Antonio Arcorace, Cosimo Damiano Gallace, Antonio Gallace dhe të tjerë. Kërkuan një Urdhër të ri Evropian Hetimor (OEI) për të verifikuar nëse të akuzuarit ishin njoftuar për vendimet franceze dhe nëse kishin pasur mundësi reale për të kundërshtuar provën në shtetin ku ajo ishte mbledhur. Kërkuan gjithashtu materialin origjinal (file PCAP, hash, algoritme dekriptimi, dokumentacion softueri dhe kopje forensike të serverëve). Në alternativë, kërkuan përjashtimin e bisedave dhe lirimin e të akuzuarve. Në konsulencën teknike u përfshi edhe avokati Mauro Ruga. Këta avokatë kanë ndërtuar një linjë të qartë: pa akses real në origjinën e provës dhe pa mundësi efektive kundërshtimi në Francë, bisedat Sky ECC nuk mund të përdoren si provë e plotë. Por a shkuan në Francë sic tha Gjykata e Kasacionit? Në nivelet e ulëta italiane, kjo linjë ka hasur në rezistencë. Sculco pranoi që kishte anomali (dublikime mesazhesh, ndryshime në ingest_date dhe identifikues), por tha se këto nuk vërtetonin ndryshim të përmbajtjes apo atribuim të gabuar. Dokumentacioni i dërguar përmes Eurojust (akte franceze, raporte hollandeze, verifikime hash nga Netherlands Forensic Institute) mjaftonte për zinxhirin e ruajtjes. Mungesa e algoritmeve të plota apo e teknikës “Man in the Middle” nuk ishte e mjaftueshme për të hedhur poshtë të gjitha bisedat.
Cassazione, në qershor 2026, e kishte lënë në këmbë urdhrin e verifikimeve shtesë në “Ostro”. Ajo nuk e deklaroi papërdorshmërinë si parim, por hapi rrugën për kontroll gjyqësor të mëtejshëm.
Franca vetë, në shtator, refuzoi disa nga masat konservative të kërkuara, (jo keto) duke thënë se dosja ishte ende e hapur para Cour d’Assise de Paris dhe se nuk kishte rrezik konkret shpërndarjeje.
Keshtu kemi dy procese të lidhura me të njëjtin material dhe të njëjtin rreth në Itali por me rezultate të ndryshme mbi të njëjtën pyetje: a mund të përdoret një provë e mbledhur në Francë pa mundësi reale kundërshtimi atje? Këto ndryshime në nivelet e ulëta tregojnë se debati është i hapur, por edhe se avokatët në Itali nuk kanë arritur ende të imponojnë një standard të unifikuar.
E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë. Në dosjet e SPAK-ut, përfshirë “Aruba”, argumentet për papërdorshmërinë e Sky ECC nuk kanë gjetur ende terren të fortë në gjykatat shqiptare. Dështimet e avokatëve në të dy vendet tregojnë se beteja në nivelet e ulëta është e vështirë dhe e fragmentuar.
Në sfond mbetet çështja C-625/25 (Prudniez) në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, e nisur nga Cassazione franceze, pikërisht për të drejtën efektive të kundërshtimit të provave të mbledhura në Francë nga persona të gjykuar në shtete të tjera. Opinioni i Avokatit të Përgjithshëm pritet më 19 nëntor. Në këtë çështje, avokati Robin Binsard është avokati kryesor dhe po udhëheq betejën në Francë.
Ai me argumentoi gjatë bisedes se standardet e drejtësisë europiane (neni 6 i Konventës dhe neni 47 i Kartës së BE-së) kërkojnë një rrugë reale kundërshtimi të provës aty ku ajo është krijuar. Vendimi i gjykatës së Parisit dhe qëndrimi që Binsard po mbron do të ketë peshë të drejtpërdrejtë për të gjitha procedimet europiane që mbështeten në materialin Sky ECC. Nuk është më thjesht një çështje italiane apo franceze. Është një çështje e standardit europian të provës digjitale.
Për Shqipërinë kjo ka peshë të drejtpërdrejtë. Operacioni Vanilla prodhoi prova që SPAK i ka përdorur në dosje të mëdha, përfshirë “Aruba”. Logjika e Sculco (që kufizimet teknike dhe mungesa e aksesit të plotë nuk e rrëzojnë automatikisht provën) është ajo që prokuroritë preferojnë. Por logjika e “Ostro” (me Gilda Danila Romano), e kërkesave të Gervasi dhe Sorgiovanni dhe e betejës që Robin Binsard po udhëheq në Francë është ajo që mbrojtjet do të ngrenë: pa mundësi reale kundërshtimi në Francë, prova digjitale e huaj mbetet e dobët.
Derisa GJEDNJ dhe CJEU të thonë fjalën e tyre, çdo dosje shqiptare që mbështetet kryesisht në Sky ECC do të jetë e ekspozuar ndaj të njëjtave përjashtime. “Kleopatra” dhe “Ostro” tregojnë se në nivelet e ulëta italiane debati është i hapur, por i fragmentuar. Dështimet e avokatëve në Itali dhe në Shqipëri tregojnë se e vetmja rrugë e qëndrueshme është ajo që hapi Gjykata e Kasacionit në Itali dhe që po ndiqet tani në Francë: kontrolli gjyqësor real i provës aty ku ajo është krijuar.
Beteja e Robin Binsard në Paris është sot pika më e rëndësishme e këtij debati.




