Kryeministri Edi Rama ka komentuar arrestimet e zyrtarëve të lartë të emëruar nga ai, protestat kundër qeverisë, projektet e Jared Kushnerit dhe perspektivën europiane të Shqipërisë.
Në një intervistë për Welt am Sonntag, Rama deklaroi se Shqipëria ka kaluar nga një vend ku “korrupsioni ishte sistemi” në një vend ku “sistemi lufton kundër korrupsionit”.
Deklarata vjen në një kohë kur SPAK ka ndërmarrë hetime dhe procedime ndaj zyrtarëve të lartë dhe ish-zyrtarëve, përfshirë persona të lidhur me mazhorancën qeverisëse.
I pyetur nëse këto zhvillime ngrenë përgjegjësi politike për kryeministrin, Rama tha se pikërisht fakti që zyrtarët po përballen me drejtësinë përbën, sipas tij, përgjegjësinë e tij politike.
Megjithatë, Rama nuk harroi të sulmoi drejtësinë teksa tha se disa prej procedurave të drejtësisë, sipas tij, nuk janë në përputhje me standardet europiane dhe theksoi nivelin e lartë të paraburgimeve në Shqipëri.
Rama hodhi poshtë akuzat se projekti lidhet me interesa personale apo politike dhe theksoi se ende nuk ka një kontratë përfundimtare, ndërsa vlerësimi i ndikimit në mjedis është ende në proces.
Sipas tij, bëhet fjalë për dy projekte të ndryshme, njëri në një ishull publik dhe tjetri në një gadishull privat.
Kryeministri i cilësoi një pjesë të kritikave ndaj projektit si të bazuara në “gënjeshtra dhe teori konspirative”, ndërsa deklaroi se Shqipëria nuk po “shitet” për shkak të investimeve të huaja.
Protestuesit, ndërkohë, kanë kundërshtuar projektet dhe kanë ngritur pikëpyetje mbi ndikimin në territor, mjedis dhe interesin publik.
“BE-ja duhet të heqë veton”
Në intervistë, Rama përsëriti kritikat ndaj mënyrës se si funksionon Bashkimi Europian dhe kërkoi heqjen e të drejtës së vetos.
Sipas tij, është absurde që një shtet i vetëm anëtar të ketë mundësinë të bllokojë vendimmarrjen e të gjithë BE-së.
Rama kërkoi gjithashtu përshpejtimin e procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe tha se premtimet për anëtarësimin e Ukrainës përmes rrugës së zakonshme janë “një gënjeshtër”.
Rama e krahasoi BE-në me një “Titanik” që po shkon drejt ajsbergut, duke iu referuar problemeve të konkurrueshmërisë dhe vendimmarrjes.
Megjithatë, ai e cilësoi Bashkimin Europian si “projektin politik më vizionar” dhe tha se shqiptarët duan anëtarësimin sa më shpejt.
Në të njëjtën kohë, ai kërkoi që Europa të ketë më shumë guxim dhe të ndryshojë mënyrën e zgjerimit.
Rama: “E admiroj Kinën”
Në lidhje me Kinën, kryeministri u shpreh se e “admiron” vendin për punën dhe meritokracinë, ndërsa e cilësoi Rusinë një “kërcënim real”.
Rama tha se Kina nuk ka, sipas tij, një axhendë perandorake dhe se Europa nuk duhet të izolohet, por të jetë në gjendje të ketë marrëdhënie me të gjithë.
Për Turqinë, kryeministri deklaroi se nuk sheh rrezik për Ballkanin Perëndimor dhe e përshkroi rolin e saj si një ndërhyrje “vëllazërore” për stabilitet dhe paqe.
Pjese nga Intervista:
WELT AM SONNTAG: Zoti Kryeministër, ju e keni krahasuar Bashkimin Evropian me “Titanikun” që po shkon drejt ajsbergut. Pse?
Edi Rama: Ajsbergun e ka identifikuar tashmë evropiani i madh Mario Draghi. BE-ja është më pak inovative dhe konkurruese se aktorët e tjerë të mëdhenj dhe i mungojnë aftësitë për të marrë vendime të guximshme dhe strategjike. Nëse nuk ndryshon asgjë, ajo shndërrohet në “Titanik”.
WELT AM SONNTAG: Megjithatë, ju dëshironi të anëtarësoheni sa më shpejt të jetë e mundur.
Rama: Jo vetëm unë, të gjithë në Shqipëri e duan këtë. BE-ja është projekti politik më vizionar që është konceptuar ndonjëherë. Ajo ka bërë të mundur që breza të tërë të rriten pa luftë. Si mund të mos duash të jesh pjesë e saj – apo të jesh aq i pamend sa të thuash se duam të dalim përsëri?
WELT AM SONNTAG: Çfarë mund të sjellë Shqipëria?
Rama: Me 2.5 milionë banorë, jemi shumë të vegjël për të pasur një ndikim të madh. Por mund ta forcojmë Evropën. Aktualisht, ajo është një organizëm me një vrimë të rrezikshme.
WELT AM SONNTAG: Çfarë doni të thoni?
Rama: Shikoni hartën. Zakonisht, vendet kanë vetëm një kufi që shtrihet rreth tyre. Evropa ka një kufi të dytë brenda saj. Vrima në mes të Evropës është Ballkani Perëndimor. Ka forca që përpiqen të na shkëpusin.
WELT AM SONNTAG: E keni fjalën për Kinën me investimet e saj dhe Rusinë e Turqinë, të cilat kërkojnë ndikim politik?
Rama: Këto janë klishe. Po, Rusia është një kërcënim real. Por Kina nuk ka një axhendë perandorake – ajo është thjesht një realitet me të cilin të gjithë duhet të përballen. Nga Turqia nuk vjen asnjë rrezik për Ballkanin Perëndimor. Unë shoh vetëm një ndërhyrje vëllazërore për stabilitet dhe paqe.
WELT AM SONNTAG: Kreditë kineze pothuajse e çuan vendin tuaj fqinj, Malin e Zi, drejt falimentimit shtetëror.
Rama: Në Shqipëri nuk e kemi këtë problem. Marrëdhënia jonë me Pekinin është më e distancuar. Sepse kemi pasur një lidhje të ngushtë në periudhën më të keqe, gjatë Revolucionit Kulturor. Por sot e admiroj Kinën. Punën e palodhur, meritokracinë. Evropa nuk duhet të izolohet, por duhet të rifitojë aftësinë për të pasur kontakte me të gjithë.
WELT AM SONNTAG: T’i kthehemi vrimës në Evropë, cili është, atëherë, rreziku?
Rama: Një bark i hapur është diçka e keqe. Ekziston rreziku i infeksioneve, plagëve, kalbëzimit. Rusia është virus. Islami radikal është virus. Kriminaliteti është virus. Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, ka shtatë fëmijë. Edhe ne jemi shtatë, shtatë shtete që duan të hyjnë në BE. A është më mirë t’i lësh fëmijët të rriten brenda familjes apo t’i lësh jashtë derisa të rriten? Natyrisht, një fëmijë në tryezë ka më pak të drejta. Nuk mund të kërkojë gjithçka. Por jashtë rreziqet janë të mëdha. Njëri fëmijë miqësohet me gangsterët rusë. Tjetri bëhet i varur nga lodrat kineze. Fëmija i tretë zbulon ekstremizmin dhe hedh në erë lagjen.
WELT AM SONNTAG: Viti 2030 përmendet si një datë e mundshme anëtarësimi. Kancelari federal Friedrich Merz ka ofruar përshpejtimin e procesit, për shembull përmes një qasjeje graduale në tregun e përbashkët të BE-së. A do të ishte e dobishme?
Rama: Kancelari juaj dhe Evropa në tërësi duhet të rigjejnë guximin e Helmut Kohlit. Kur ra Muri në vitin 1989, Kohl nuk u tha gjermano-lindorëve: Tani keni 33 kapituj negociatash dhe më pas do t’ju pranojmë. Përkundrazi, ai tha: Ne jemi të gjithë në të njëjtën varkë.
WELT AM SONNTAG: A duhet BE-ja t’i anashkalojë problemet për arsye gjeopolitike?
Rama: BE-ja madje duhet të na kërkojë edhe më shumë detyra shtëpie. Por ne duam të jemi pjesë e saj. Shikoni Ukrainën. Ajo që i premtohet është një gënjeshtër. Në rrugën e rregullt të anëtarësimit, me të gjitha kriteret, ajo nuk do të pranohet kurrë. Të gjithë e dinë këtë. Ajo që do të ishte realiste: ta sillnin Ukrainën që tani në tryezë dhe, përmes një procesi të bazuar në performancë, t’i jepnin anëtarësimin e plotë.
WELT AM SONNTAG: Edhe sot, me 27 anëtarë, BE-ja e ka të vështirë të marrë vendime. Si do të funksionojë kjo nëse zgjerohet më tej?
Rama: Natyrisht, do të ishte rrezik të pranoheshin vende të reja që mund të bllokojnë vendimmarrjen. Në çdo rast, unë do të angazhohesha për heqjen e së drejtës së vetos. Nëse Evropa duhet të konkurrojë me Kinën, SHBA-në dhe Indinë, është absurde që një anëtar i vetëm të mund të bllokojë gjithçka.
WELT AM SONNTAG: Në Shqipëri, korrupsioni vazhdon të jetë problem. Drejtuesja juaj e shërbimit sekret është arrestuar, ndërsa ka edhe shumë raste të tjera hetimesh dhe vendimesh gjyqësore. Çfarë po bëni kundër kësaj?
Rama: Shqipëria ishte një vend ku korrupsioni ishte sistemi. Sot, Shqipëria është një vend ku sistemi lufton kundër korrupsionit. Jemi në fazën përfundimtare të pastrimit të vendit.
WELT AM SONNTAG: Struktura kundër korrupsionit SPAK, nën mbikëqyrjen e SHBA-së dhe BE-së, po vepron ashpër kundër zyrtarëve të rangut të lartë. A po funksionon?
Rama: Pjesërisht është e dhimbshme. Sipas mendimit tim, jo të gjitha procedurat janë në përputhje me standardet evropiane. Shqipëria ka normën më të lartë të të paraburgosurve në kontinent. Por kjo është pjesë e një procesi të vështirë dhe të pashmangshëm. Ne duhet të marrim vlerësim për këtë.
WELT AM SONNTAG: Ka zëra që kërkojnë nga ju përgjegjësi politike duke pasur parasysh arrestimet dhe dënimet në rrethin tuaj…
Rama: Përpara se të merrja detyrën, që nga viti 1912, kur u themelua shteti ynë, asnjë ministër i vetëm në Shqipëri nuk ishte paraqitur ndonjëherë përpara një prokurori të pavarur. Jam krenar që vendi ynë tani është në gjendje t’u kërkojë llogari njerëzve, kudo që ndodhen. Kjo është përgjegjësia ime politike.
WELT AM SONNTAG: Por, me sa duket, mungon besimi. Prej muajsh qytetarët protestojnë përpara selisë suaj qeveritare. Shkak ishte një projekt i planifikuar investimi për një resort luksoz nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan. Protestuesit ju akuzojnë se po e shisni Shqipërinë.
Rama: Jetojmë në një botë ku gjithmonë ka dikë të zemëruar. Çdo demokraci vuan nga kjo. Protestuesit kanë shqetësime krejtësisht legjitime, të cilat unë nuk i mohoj. Por ata nxiten nga gënjeshtra dhe teori konspirative.
WELT AM SONNTAG: Në këtë projekt bëhet fjalë për katër miliardë dollarë, një shumë gjigante. Ju keni kontribuar në mënyrë vendimtare përmes kontakteve tuaja me presidentin amerikan. Ku e vendosni kufirin mes diplomacisë ekonomike dhe një sistemi që varet tepër nga marrëdhëniet tuaja personale?
Rama: Edhe ju jeni viktimë e një narrative që përsëritet vazhdimisht. Kur nisi e gjithë kjo, Trump nuk ishte më në detyrë; ai mund të kishte përfunduar në burg ose mund të ishte rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Përveç kësaj, ende nuk ka një kontratë përfundimtare, jemi ende duke negociuar. Edhe vlerësimi i ndikimit në mjedis është ende në proces. Dhe në fakt bëhet fjalë për dy projekte të ndara. Njëri ndodhet në një ishull që është pronë publike. Vetëm tetë për qind e këtij ishulli mund të ndërtohet dhe ishulli mbetet publik. Tjetri ndodhet në një gadishull që është pronë private. Nëse do të sillnit kapital të huaj në Gjermani, a do të thoshit se Gjermania po shitet? A do të thoshit: Gjermania u përket gjermanëve? Unë përfaqësoj interesat e vendit tim dhe do të vazhdoj ta bëj këtë.
WELT AM SONNTAG: Atëherë, pse projekti po kritikohet ndërkombëtarisht?
Rama: Është hija e gjatë e Donald Trumpit që ka sjellë këtu të gjitha mediat e botës dhe të gjithë të majtën. U kam thënë miqve të mi demokratë në Amerikë: Nëse nuk mund ta mundni Trumpin në Amerikë, mos ejani në Shqipëri për t’u hakmarrë. Kjo nuk është e drejtë.
WELT AM SONNTAG: Si e iniciuat projektin? Në BE do të nevojitej një tender publik.
Rama: Edhe në BE nuk nevojitet tender publik për të investuar në një pronë private. Pronarët duhet ta shesin pronën ose të japin miratimin për ndërtimin. Kaq.
WELT AM SONNTAG: Me 3.5 për qind, Shqipëria ka një rritje të lartë ekonomike. Në të gjithë Tiranën po ngrihen ndërtesa imponuese. Por pagat janë të ulëta, çmimet të larta. Shumë njerëz largohen nga vendi.
Rama: Edhe shumë të rinj gjermanë sot nuk kanë mundësi të blejnë një banesë. Kur e nisa detyrën si kryeministër, të ardhurat për frymë ishin nën 3,000 dollarë. Sot jemi pothuajse në 12,500. Po, të rinjtë emigrojnë. Kjo është Evropa, lëvizja brenda një tregu të madh pune. Kur pagat të arrijnë në një nivel të krahasueshëm, ata do të kthehen.
WELT AM SONNTAG: Cili është vizioni juaj ekonomik?
Rama: Ne kemi mot me diell, të cilin ju nuk e keni në Gjermani. Kemi ushqim fantastik dhe mikpritje. Kemi lumenj dhe e prodhojmë energjinë elektrike tërësisht nga burime të rinovueshme. Do të jemi inovativë dhe do të rritemi. Pyetja nuk është se çfarë do të bëjë Shqipëria, por Evropa.
WELT AM SONNTAG: Çfarë duhet të bëjë Evropa?
Rama: Të gjithëve na pret një dimër i ashpër demografik; popullsia po plaket gjithnjë e më shumë. Duhet të flasim se çfarë lloj migracioni na nevojitet dhe çfarë migracioni duam – por të flasim si të rritur. Kushdo që e përdor këtë çështje si një lodër politike për të krijuar gogolë, mund të fitojë zgjedhje në afat të shkurtër. Por kjo nuk është burrështetësi. Është njësoj sikur të luash muzikë në kuvertën e “Titanikut”.
WELT AM SONNTAG: Italia ka ndërtuar qendra dëbimi në Shqipëri që dy vjet më parë. Brukseli ndërkohë lejon përpunimin e kërkesave për azil përmes vendeve të treta. A i ofroni Gjermanisë mundësinë që të ndërtojë qendra të tilla?
Rama: Italia nuk është vetëm një partnere veçanërisht e afërt, ajo është alter egoja jonë evropiane. Por të tjerëve u themi jo, sepse vetëm qendrat në vendet e treta nuk janë zgjidhja. Ka probleme shumë më të mëdha. Dhe tani është shtuar edhe inteligjenca artificiale. Ndërsa kinezët dhe amerikanët po bëjnë një sprint përpara, njerëzit në Evropë grinden për një qendër migrantësh në Shqipëri për një grusht migrantësh. Kjo është absurde.

