Dështimet e kësaj qeverie shkëlqejnë në çdo fushë, por emigrimi i të rinjve vezullon më shumë mbi një vend që po zbrazet me vetëdije. Sot, Shqipëria mban “rekorde” vetëm për:
– emigracionin masiv të popullsisë,
– largimin e të rinjve,
– ikjen e trurit dhe shkatërrimin e kapitalit njerëzor.
Sipas Raportit të Tranzicionit të 2025–2026 të BERZH-it, Shqipëria ka humbur rreth 40% të popullsisë së vitit 1990 vetëm nga emigracioni.
Vetëm Kosova, që ka kaluar luftë, e tejkalon këtë nivel humbjeje me rreth 50% dhe menjëherë pas Shqipërisë renditen Autoriteti Palestinez dhe Taxhikistani. Kjo do të thotë se sot Shqipëria krahasohet demografikisht me vende konflikti, jo me vendet e Bashkimit Europian që qeveria propagandon pa reshtur.
Po kaq dramatike është edhe ikja e trurit. Sipas të njëjtit raport, 23% e shqiptarëve me arsim të lartë janë larguar nga vendi, ndërkohë që vetëm 2–3% kthehen.
Edhe në këtë tregues, Shqipëria renditet në fund të listës, në të njëjtin grup me Bosnjën, Palestinën dhe Taxhikistanin, vendet me bilancet më negative të kapitalit njerëzor në gjithë hapësirën e BERZH-it.
Qeveria flet për “arsim” dhe “zhvillim”, por zhvillimi pa njerëz quhet zbrazje, shpopullim dhe shpërbërje shtetërore. Flet për “digjitalizim në edukim”, ndërkohë që arsimi është kthyer në linjë prodhimi për emigracion, – eksport institucional truri pa kthim.
Politika e mbrapshtë e qeverisë, që bazohet në dëbimin e të rinjve e në shpërbërje kombëtare është shkaku i vetëm i kësaj gjendjeje.
-Pagat më të ulëta se në vendet e rajonit dhe madje fyese për nivelin e kualifikimit;
-Tregu i punës i politizuar, klientelist dhe i strukturuar kundër meritokracisë, ku diplomat vlejnë më pak se militantizmi partiak dhe i afti dhe talenti zëvendësohen me besnikëri ndaj partisë;
– Mashtrimi i përsëritur prej 2013-ës për investime në kërkim, inovacion dhe teknologji, ashtu si edhe buxhetimi i arsimit dhe kërkimit shkencor, i cili mbetet më i ulëti ndër vendet e rajonit;
-Mungesa e hapësirave për kërkim shkencor, inovacion, specializim dhe rritje profesionale;
-Kostot e larta të jetesës që rriten pa ndalur, sidomos për të rinjtë, që kanë më shumë kërkesa për krijimin e familjes e, nga ana tjetër, shumë më pak mundësi reale për t’i përmbushur;
-Mjerimi i arsimit, shëndetësisë dhe drejtësisë, duke e kthyer shtetin nga garant i së ardhmes në nxitës të fortë të largimit.
Të gjitha këto janë pjesë e politikës së qëllimshme e zbrazjes së vendit -strategji e heshtur që largon të rinjtë, profesionistët dhe të talentuarit për ta mbajtur shoqërinë të varfëruar, të plakur dhe më të kontrollueshme.
Dhe, në vend të ndonjë politike për rikthimin e talenteve, qeveria vijon zellplotë largimin e të rinjve: dëbohen studentët nga Tirana; qyteti universitar është shndërruar në kantier gërvishtës të qiellit, ndërsa të rinjve qeveria u ofron kënaqësinë e gjumit në Durrës për të ndjekur universitetin në Tiranë – absurditet që simbolizon qartë fobinë institucionale ndaj dijes dhe universiteteve.
BERZH e thotë qartë: pa rritje të produktivitetit dhe pa politika serioze për kapitalin njerëzor, emigracioni do të vazhdojë të frenojë ekonominë për të paktën edhe 30 vjet.
Prandaj, prej 2013 nuk kemi humbur vetëm popullsi,
PO SHPËRBEHEMI, PO ZHBËHEMI DHE PO HUMBIM TË ARDHMEN.

