Në momentin kur vendi po kalon një situatë dramatike për shkak të përmbytjeve dhe të dështimit shtetëror, kur ish zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj po denoncon afera të njëpasnjëshme që ia kalojnë njëra tjetrës për nga përmasat dhe grykësia, kryegaztori i Shqipërisë dhe kreu i narkoshtetit, gjen kohë të merret me gazetarët.
Nga Emiratet e Bashkuara Arabe, në kulmin e delirit të tij, ai flet për projekte madhore energjitike, në një kohë që shkarkimet e hidrocentraleve po rrënojnë ekonomitë familjare të fermerëve, jetën e tyre.
Gjen kohën të shigjetojë gazetarët që nuk bëjnë asgjë tjetër përveçse thonë të vërtetën, në një klimë mbytëse të kontrollit qeveritar të narrativës që nuk toleron asnjë zë ndryshe.
Kryegaztori duhet ta ketë të qartë se asnjë heqje e qëllimshme e vëmendjes nuk mund ta shpëtojë nga përgjegjësia ndaj qytetarëve dhe ndaj ligjit për pasojat e përbindshme që keqqeverisja e tij i ka shkaktuar shqiptarëve në shtëpitë e tyre dhe gjithë ngrehinës institucionale që quhet shtet.

