Policia e Shkodrës ka zbardhur vrasjen me lëndë plasëse të shtetasit Hysni Ymeri, ngjarje e ndodhur më 29 dhjetor 2025, në lagjen “Manush Alimani”. Në kuadër të operacionit policor të koduar “SHADOWS”, janë identifikuar dhe arrestuar 4 shtetas të dyshuar si autorë të përfshirë në këtë krim.
Operacioni është zhvilluar me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Komisariatit të Policisë Shkodër dhe strukturave të DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës.
Të arrestuarit janë:
• Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se në pranga janë vënë Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.
Sipas Policisë, nga provat e mbledhura dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe kundrejt pagesës, kanë vendosur dhe aktivizuar lëndë plasëse në panelin elektrik të pallatit ku banonte viktima. Fillimisht dyshohej se Ymeri kishte humbur jetën nga shpërthimi i kabinës elektrike, por hetimet kanë konkluduar se bëhej fjalë për lëndë eksplozive.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar si prova materiale: 28 celularë, një automjet tip “Mercedes-Benz”, rrobat e dyshuara të përdorura gjatë vendosjes së lëndës plasëse, municion, sasi parash në lekë dhe euro, lëndë narkotike, një sasi kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe një laptop.
Policia bën me dije se vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë dhe për sqarimin e plotë të motiveve të ngjarjes.
Materialet janë referuar në Prokurorinë e Shkodrës për veprat penale:
“Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;
“Shkatërrimi i pronës me eksploziv”;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim;
si dhe “Prishja e qetësisë publike”.

