Policia e Fierit ka arrestuar një 30-vjeçar nga Mallakastra, i dyshuar si shkaktar i një aksidenti rrugor me pasojë vdekjen e një 16-vjeçari.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin Syrja Begaj, 30 vjeç, banues në fshatin Hekal, Mallakastër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 19:00, në aksin rrugor Levan–Tepelenë, në vendin e njohur si “Kryqëzimi i Cakranit”. Automjeti tip “Benz”, që drejtohej nga 30-vjeçari, është përfshirë në një aksident të rëndë me një automjet tip “Peugeot”, i cili drejtohej nga Oktavio Merdanaj, 16 vjeç. Si pasojë e përplasjes, i mituri humbi jetën. Sipas informacioneve, 16-vjeçari drejtonte mjetin pa leje drejtimi.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme ligjore. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë.
𝗡𝗷𝗼𝗳𝘁𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗗𝗩𝗣 𝗙𝗶𝗲𝗿:
Drejtoria Vendore e Policisë Fier, në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme për një aksident rrugor të ndodhur në aksin rrugor “Levan–Tepelenë”, ku humbi jetën shtetasi O. M., ju informon se Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan shtetasin S. B., 30 vjeç, banues në fshatin Hekal, Mallakastër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

