Këshilli i Ministrave ka vendosur që dita e premte, më 26 dhjetor, të jetë ditë pushimi për punonjësit e administratës publike.
Vendimi shërben si zgjatje e festës së Krishtlindjes, pasi administrata nuk do të punojë edhe ditën e enjte, më 25 dhjetor, e cila është festë zyrtare.
Si rrjedhojë, punonjësit e administratës do të përfitojnë dy ditë pushimi radhazi, ndërsa institucionet publike do t’i rikthehen aktivitetit normal të hënën e ardhshme.
Sipas vendimit, bazuar në nenet 95, pika 2, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, përcaktohet:
Dita e premte, 26 dhjetor 2025, caktohet ditë pushimi për punonjësit e administratës shtetërore.
Dita e punës e datës 26.12.2025 do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda tremujorit të parë të vitit 2026.
Institucionet e administratës shtetërore ngarkohen për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn menjëherë në fuqi dhe do të publikohet në “Fletoren Zyrtare”.

