Ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së dhe drejtuesja e Kolegjit të Europës, është liruar pas marrjes në pyetje, por do të vijojë të hetohet nga Prokuroria e BE-së për një sërë akuzash të rënda, përfshirë mashtrim në tenderë publikë, korrupsion, konflikt interesi, shkelje të sekretit profesional dhe konkurrencë të pandershme.
Ajo u ndalua në Belgjikë më 2 dhjetor, në kuadër të hetimeve mbi një tender për realizimin e një kursi pasuniversitar për diplomatë të rinj, i financuar nga BE dhe i lidhur me Kolegjin Europian të Bruges.
Së bashku me Mogherinin u ndaluan edhe ambasadori Stefano Sannino dhe Cesare Zegretti, të dy të lidhur me institucionet evropiane.
Pas marrjes në pyetje nga policia federale belge, të tre u lanë të lirë pasi nuk konsiderohen rrezik arratisjeje, por mbeten nën hetim.
Hetimet po përqendrohen veçanërisht te blerja e godinës Spanjaardstraat në Bruges, me vlerë 3.2 milionë euro, e përdorur si rezidencë për diplomatët e rinj. Sipas mediave belge dhe prokurorisë, ka dyshime se gjatë procedurës së tenderimit është shkelur rregulli për garë të ndershme, pasi një kandidat ka marrë informacion konfidencial për të përfituar në mënyrë të paligjshme.

