Rruga Qukës-Qafë Plloçë, investimi afro 400 milionë euro u squll afro dy muaj pas tam-tameve të suksesit, duke u shembur në një segment të konsiderueshëm. Në hyrje të tunelit të Skërficës në aksin Delvinë-Kardhiq, rrëshkitjet masive zunë hyrjen. Në tunelin e Llogarasë, thoshte inxhinieri, shumë punime bëheshin pa hedhur hekur. Tuneli i Murrizit në rrugën e Arbrit ka telashe serioze me qëndrueshmërinë e cilësinë, ku ndërhyrjet kthehen në domosdoshmëri sigurie. Dëshmia e shkërmoqjes së këtyre investimeve të arta, janë tregues se, brendia e tyre është një vjedhje masive. Këto ndodhira bëhen filma nëpër botë, do thoshte “mamica” e pushtetit. Arnimet qeveritare të propogandës nuk mjaftojnë, sepse edhe Zoti del e bëhet prokuror pesë minuta, për të treguar se çfarë plaçkitjeje kanë brenda rrugët, urat, tunelet, sa mjafton një dorë reshjesh si ato në fundjavë, për të parë rezultatet e cilësisë së munguar. Në sitën e akuzës janë vënë gjithë tenderimet. Lotet e unazës së madhe të kryeqytetit, janë tashmë shënjestër investigimi, duke parë precedentët e mëparshëm, se si shpërndaheshin investimet nga Balluku me shoqni. Ndarjet nga lotet kanë qenë marifete për të shmangur kompanitë e huaja në konkurime, e tani vjedhja e brendshme, ka përballë grupin e ministrisë e të qeverisë, të përfshirë në këtë masakër financiare. Porto Romano, një tender përvëlues 400 milionë euro, me ankime të shumta të kompanive të huaja, Porti i Durrësit e Rruga e Arbërit, së shpejti pritet të bëhen dosje të Strukturës së Posaçme. Çifti qeveritar Rama-Balluku, janë shpërndarësit e ngjashëm në këto tendera, ku përgjime e dekriptime mesazhesh të pafundme, do të nxjerrin skemën kriminale të shpërdorimit e abuzimit në miliarda. Olsian Çela e Altin Dumani me ekipet e tyre, takuan prokuroren federale Ann Fransen, ku trafiku i drogës, krimi i organizuar, kriptomonedhat e shumë dosje të përbashkëta kanë qenë pjata në tavolinën e bisedimeve. Sepse, edhe në këto dosje në procese gjyqsore në Belgjikë, janë miliarda euro trafikantësh droge të investuara edhe në tendera e punë publike në Tiranë e në bregdet, në të quajturat investime strategjike. Firma për të ndodhur ky pastrim, sigurisht është nga zyra e qeverisë, e cila nuk mund të kthehet në histori kumbullash. Akuzat e deritanishme të Strukturës së posaçme janë shumë limonatë, krahasuar me gjetjet dhe hetimet. Qindra milionë euro, zëvëndëskryeministër, ministër, drejtorë të përgjithshëm, zyrtarë të tjerë ministrie, biznesmenë vendas e të huaj, në një paketë shpërndarje me porosi të parave publike, nuk mund të jetë thjesht shkelje barazie, por një ekip i strukturuar babëzie. Duke krahasuar më shumë dosje të SPAK, për vepra abuzive e pastrime shumë herë më të pakta në numër e në shifra miliardash, sa rastet në proces, akuza grup i strukturuar kriminal, lajmërohet në orët e para të veprimeve. Ndërsa këtu, ashtu si edhe te inceneratorët, po ndodh ngjashëm hollimi. Nuk mund të mbyllen hetimet e të konsiderohen profesionale apo të pavarura, nëse Edi Rama nuk është një ndër të hetuarit, bashkë me vartësen e tij minsitre, ku ajo raportonte e merrte porosi, se kush të jetë fitues e kush humbës. Mëngjesi i këtij procedimi duhet të jetë akuza grup i strukturuar. Të tjerat, vijnë rrugës..

