Data 20 Nentor 2025 në historinë politike të Shqipërisë do të jetë e ngjashme në rëndësi me 8 Dhjetorin 1990 kur studentët u organizuan në protesta dhe për herë të parë bashkë me kërkesat ekonomike artikuluan edhe kërkesën për pluralizëm politik, që në vetvete do të sillte fundin e PPSH-së në pushtet si e tillë.
20 Nëntori pra është fillimi i fundit të sundimit të Edi Ramës dhe bashkë me të edhe fundi i tranzicionit politik në Shqipëri. Në ato ditë Dhjetori, Ramiz Alia ishte akoma President dhe dukej i fuqishëm, madje merrte merita sikur e donte vetë pluralizmin, por në fakt ishte i detyruar nga presioni popullor. I njëjti Berisha që i jepte merita Ramizit atëkohë, i dha meritat Ramës sikur ishte ai që nxiti prokurorinë dhe gjykatën të bllokonte zv.kryeministren e tij.
20 Nëntori është fillimi i fundit të kësaj klase politike, sepse i rrëzoi jo vetëm balluket e lyera bukur për 35 vjet, por u çorri edhe maskat e dy forcave kryesore politike që e kanë mbajtur peng dhe e kanë shpopulluar vendin. Me rastin e Ballukut, me një goditje SPAK i vrau të dy si zogj qorr. Rama që gjoja kishte mbështetur reformën në drejtësi dhe dorëzonte të gjithë që i hanin fruta pas shpine, i ktheu shpinën drejtësisë së re kur uji iu fut në fundshpinën e vet ku lahej në një kazan me Ballukun, duke mos e shkarkuar. Ndërsa PD u kap gafil dhe nuk po dinte si ta arsyetonte efikasitetin dhe integritetin e drejtësisë së re ndërsa e kishte atakuar që nga krijimi. Edhe shumica e militantëve të saj kuptuan se ishin mashtruar gjatë gjithë kohës nga kupola e tyre se SPAK dhe drejtësia e re gjoja dirigjoheshin nga Rama.
Në këtë vakum politik në vend, kur qeveria de facto ka rënë nga pranimi me vepra të korrupsionit të saj, opozita e cila do duhej të kishte mbledhur qindra mijë veta para kryeministrisë kur numri një dhe numri dy i saj ishin vetërrethuar për orë të tëra për të gjetur mënyrën se si të kalonin lumin, nuk bëri sa disa gazetarë dhe analistë në studiot e darkës që kërkuan dorëheqjen e kryeministrit sipas standardeve evropiane.
20 Nëntori tregoi gjithashtu se opozita e vogël parlamentare, ndonëse edhe ajo kërkoi verbalisht dorëheqjen e kryeministrit, nuk ka asnjë mekanizëm ose fuqi të dëgjohet. Zhgënjim edhe nga shoqëria civile, intelektualët, studentët, sindikatat, bashkimet e biznesit e të tjera grupe shoqërore që nuk po organizohen për të ngritur fuqishëm zërin e tyre për liri, demokraci dhe meritokraci.
Ku janë, kush janë studentët dhe intelektualët si ata të Dhjetorit ’90 për të udhëhequr valën popullore që po zien? Ata nuk iu tremben plumbave, po ne kujt i trembemi sot?
Është e sigurt që ky diktatoruc i vogël do të ikë më shpejt se sa vonë. Problemi ynë si shoqëri tani mbetet të mos na vijnë në krye të demokracisë së re post-tranzicion, përsëri ata që na erdhën pas Dhjetorit ’90 ose të ngjashmit e tyre.
PERPARIM GJEKA
20.11.2025

