Sali Berisha me mjaft gjasa, do të jetë në PD edhe pas ikjes, kurdo ai dhe votuesit e anëtarësisë të shprehen për një zhvillim të tillë. Sepse është berishizmi një sipërfaqe e madhe elektorale e faktoriale brenda saj, ndikuar nga ajo çka ai ka ndërtuar, restauruar, tkurrur dhe zgjeruar, pra ajo çfarë përfaqëson në gjithë inventarin e partisë. Sot ai u shpreh se do të garojë vitin e ardhshëm në 2026, në garën e hapur të kryetarit, në përputhje me mbarimin e mandatit sipas afatit statutor. Ky deklarim bën jo optimist çdo konkurent për të marrë postin e drejtuesit të partisë. Sepse e shohin si ndeshje me koeficient pa bast. Por kjo nuk duhet të shtyjë askënd të kërkojnë ndeshjen me fitore tavoline. Në zgjedhjet e mundshme të pjesshme të Tiranës, ofiqarët e PD refuzuan të marrin përsipër përballjen me kandidaten e Ramës, ish-ministren Ogerta Manasterliu, një përfaqësi covidi ende e infektuar. Pavarësisht rezultatit në një klimë vrasëse elektorale, kandidati me profil politik i Partisë Demokratike, do të forconte vetveten dhe potencialisht bëhej emër konkurrues i brendshëm. Mungesa e një emri politik është statistikë hesapesh individuale për nesër. Kur ke bërë një vit protetsa të dera e Bashkisë së Tiranës, kundër Veliajt dhe ky reagim kishte racionin kontribues në arrestimin e tij, atëherë një emër i kësaj beteje duhet të ishte vazhdimësi për të marrë vendin e të shumëakuzuarit për korrupsion. Sepse akuzat politke të opozitës, u kthyen në akuza penale, juridike zyrtare nga Struktura e Posaçme.
Por refuzimi i heshtur i emrave potencialë, ishte masivitet pa përmbajtje. Disa nuk u mbështetën sepse mbase drejtësia e tyre shtrembëronte gardhin. Janë pak muaj, është çerek mandati, të pasigurtë nëse fitonin dot, mazhoranca është e inkriminuar. Ajo sapo vodhi parlamentaret e 11 majit 2025. Shkaqe plot, kokëkrisje aspak. Jo afër se digjesh, as larg se ftohesh. Nëse ka opozitarë me mandat të vetëshpallur si qelibar në ekrane, por fokusuar në kamerat e Bashkisë në hyrje-daljet në muzgje te ish-kryetari Veliaj, për ndonjë hall betoni, kjo është shaka e zezë në leksionet e moralit. Sigurisht ka. Kriza ”Basha” solli ndarje e një bashkim të sforcuar artificial. Basha iku, pasojat mbetën. Amerikanët u ndërruan. Janë rrugës për të riardhur të plotë në Tiranë. Gjithashtu shumica e mbështetësve të ish-kryetarit, deputetë, u ripërtërinë. “Berisha” ishte mjekimi shërues për ta, duke ushqyer me mërzi me të drejtë shumë gladiatorë të rënë në oborrin e partisë, në 8 janarin e marrëzisë opozitare. Beteja nuk plagosi shumë prej tyre, por i fronësoi njëlloj. Sapo ndodhi, ata u bënë berishistët më të mëdhenj që ka njohur PD, paçka se kostumin “bashist” nuk e heqin dot në harenë e fitores së Pirros. Ndonëse edhe Basha nuk ishte një rastësi e futur nga dritarja në krye të demokratëve, duke i kthyer mbështetësit e shumtë jopërfitues në viktima.
Kështu erdhi në vjeshtën e dytë, si me të qeshur një emër kandidati për tu ngjeshur votuesve demokratë një kimi importi. Një garë politike duke i hequr nervin partiak, sjell fikjen e mëkateve rrugës, ofron vend në karrike të përbashkët për vuajtës e fajtorë. Sepse Shqipëria është me një këmbë në diktaturën e dytë pas asaj të shembur jo plotësisht në 90-tën.
Një pyetje sa zgjedhore, morale, logjike, e arsyeshme, thelbësore, merr një përgjigje të çkurdisur, anormale, sakate. Cila është?
Përse Edi Rama, i damkosur zyrtarisht nga raporte ndërkombëtare evropiane e amerikane, mediet, ekspertë prokurorë të antimafias, si një qeveri më tepër se narkos, krahasuar botërisht me Maduron dhe Noriegën, fiton shumicë ende në vitin e 12-të, të pushtetit në Shqipëri?
Sepse nuk votohet. Vidhet. Kriminalizohet. Plaçkitet. Drejtësia e kapur dhunshëm prej tij është pjesë e kriminalizimit të zgjedhjeve. Ajo nuk ndëshkon. Bashkë me borxhliun vetë përfiton. Mafia e kikaina sundojnë bashkë me Ramën apo anasjelltas. Në këto 35 vite, janë emra të shumtë deputetësh, ministrash, bashkiakësh, zgjedhur nga “Berisha”, votuar nga demokratët, pastaj të larguar në parti të tjera, krijues të partive të tjera, apo më tutje kthyer në aleatë flirtues kundër, apo më larg shndërruar në vartës të Edi Ramës. Ikje ardhjet në PD nuk kanë qenë e as janë herezi. Ndonëse kostot e veprimeve nuk i kanë pësuar thuajse asnjëherë vepruesit, por votuesit. Ka prej tyre që kanë pasur të drejtë, sepse janë bërë kurban në mënyrë të padrejtë. Ka deputetë, funksionarë partie, pjesë e lidershipit apo ekipit të PD, bashkëpunëtorë të kryetarit, të cilët nuk nxjerrin asnjë lloj lëngu me çfarëdo që ti shtrydhësh, edhe me rrul asfalti. Ndaj tyre, kryetari i partisë për shkak të Kodit të tij të Mirënjohjes, në disa episodeve, e ka tepruar me shpërblim politik. Mjaft prej tyre janë turistë ambasadash, qoka të grupeve të interesave të kihta, rastësi emocionale. Të ikë Berisha thotë mazhoranca ka 35 vite. Deputetë të PD, anëtarë të forumeve të saj, kryesi, Këshill Kombëtar, apo opozitarë publikë, që duan emër tjetër, duhet të kërkojnë ta mundin me votë brenda PD. Nuk ka bërë ndonjë krim Besart Xhaferi që e tha publikisht një kërkesë se dujen bërë zgjedhje duke parë me kushtëzim qëndrimin e kryetarit. . Nëpër tavolina e kafene netëve të sajdisjeve gri, janë disa besnikë shumë mandatesh të Berishës që bërtasin zi e më zi të ikë Berisha. Të gjithë kërkuesit duhet të jenë të hapur të ofrojnë bashkë me idenë si një akt politik, harminizuar në raport të drejtë me gjurmët e betejave të tyre. Pastaj, votat e tyre po Berisha e jo Berisha, mundin këdo tjetër përballë, sepse kanë hapur garën. Gara duhet të sjellë jo vetëm një kryetar. Shumë deputetë, sidomos ata të listës së mbyllur, e mbase shumë funksionarë të partisë kanë votën e Berishës si votë fituese. Në Parti duhet të ketë si ekip drejtues edhe të votuar masivisht nga demokratët e që votohen sërish nga forumet, duke iu shtuar grupit të deputetëve. Të mos jenë njëlloj ata, tre në një, si ofertë e një pakete interneti. Telefon, internet televizor. Pra Po Berisha dhe Jo Berisha, duhet të gjejnë ekuacionin e vërtetë, pa hipokrizi, pa servilizëm, pa shkujdesje vetingu në tre kriteret e tij moral, profesional(politik), financiar, ku vitrina dhe magazina e opozitës, të mos jenë me kurriz nga njëri-tjetri, por të shoshoqen ndër sy.
Basir Çollaku/ Po Berisha jo Berisha
Leave a comment
Leave a comment

