Secili prej nesh ka miq, mikesha që jetojnë në Evropë. Unë po marr shembullin e dy miqve të mi. Ata janë vëlla e motër. Jetojnë të dy në Itali. Kanë familjet përkatëse dhe dy fëmijë secili. Çdo muaj u sjellin prindërve plot 200 euro si ndihmë për shkak të pensioneve të ulta. Gjatë qeverisjes rilindase u kanë sjellë prindërve një shumë rreth 29.000 euro. Të gjitha problemet shëndetësore prindërit i zgjidhin në Itali. Me një logjikë të thjeshtë; Pse duhet të votonin individët në fjalë Edi Ramën?!
Argumenti se alternativa e vetme përballë ishte Sali Berisha, nuk qëndron, sepse kishte disa koalicione që nuk kishin emrin e Sali Berishës brenda dhe kanë paraqitur programet e tyre në diasporë.
Atëherë krejt logjikshëm lind pyetja: A është deformuar rrugës vullneti i shprehur me votë nga diaspora?!
Unë mendoj se po dhe kjo ka qenë një prej arsyeve që e kam kundërshtuar që në krye të herës votimin e diasporës me postë duke u bazuar në një fakt të thjeshtë: Edi Rama nuk mund të pranonte kurrsesi një proces që mund të dëmtonte pushtetin e tij. Ai e dinte se zotëronte çdo mekanizëm për ta tjetërsuar si proces në favor të tijin.
Post Scriptum- Pasojat e votimit nga diaspora, që u kthye në favor të Edi Ramës, do t’i paguajmë të gjithë. Qoftë emigrantët që do të vazhdojnë t’u dërgojnë euro prindërve, qoftë ne që do të kemi numër të shtuar patronazhistësh mbi kokë.

