Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur për gazetarët pasi doli nga godina e SPAK, deklaroi se ky institucion se ka heshtur përballë ndryshimeve të fundit ligjore që, dëmtojnë procesin e hetimit dhe vendosin kufizime të rënda ndaj medias. Ai tha se institucioni i akuzës duhej të kishte reaguar ndaj ndryshimeve të miratuara në Kuvend, ndërsa e akuzoi atë se është i lidhur politikisht me mazhorancën. ‘Organi i parë që duhej të reagonte është ky organ, i cili ndaj një ligji të tillë në mënyrën më të turpshme heshti si fija e barit’, deklaroi Berisha.
Kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi se, ndryshimet ligjore i japin ‘një goditje fatale’ procesit të hetimit dhe akuzës, ndërsa tha se kishte marrë informacion nga Strasburgu se Këshilli i Evropës nuk i ka miratuar këto ndryshime. Ai shkoi më tej duke akuzuar SPAK-un se heshtja e tij tregon, sipas tij, një marrëveshje me Edi Ramën. ‘Heshtja e tyre tregon se kemi të bëjmë me një marrëveshje midis tyre dhe Edi Ramës. Unë gjithnjë u kam deklaruar ju se ky është një seksion i shpifur i PS’, tha ai.
Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha i pyetur nga gazetarët, u ndal edhe te dispozitat që, sipas tij, kufizojnë publikimin e informacioneve nga mediat dhe gazetarët, duke i cilësuar ato si ‘censurë të rrezikshme’. ‘Diktaturë e vërtetë, e hapur’, u shpreh Berisha, duke shtuar: ‘Ka marrë modelin e diktaturës, është vendosje e diktaturës dhe unë ftoj gazetarët të mblidhen me urgjencë dhe të reagojnë ndaj këtyre ligjeve’.
Kryetari i Partisë Demokratike, deklaroi se, synimi i ndryshimeve ligjore të propozuara nga Edi Ramën lidhen me zhvlerësimin e provave të përfshira në dosje hetimore. ‘Qëllimi është vetëm një, telefonat e Ramës, mesazhet e Edi Ramës, mesazhet e Linda Ramës, mesazhet e Olsi Ramës’, theksoi gjatë fjalës së tij, lideri i demokratëve Sali Berisha.
FJALA E PLOTE
Të dashur qytetarë dhe qytetare të pranishëm këtu dhe kudo që ndiqni këtë prononcim timin para shtypit.
Shënimi që lashë është ai i zakonshmi: Altin Gjoka Troplini Hajri Dumani, se ky është me shumë mbiemra, armikut të egër të pluralizmit politik, drejtësia vonon, por nuk harron!
Tani ju jeni të gjithë kuriozë se çfarë gjeta unë aty.
Aty, të gjithë po bënin gati valixhet.
Po bënin gati valixhet, kishin mbushur korridorin me dosje që duket po i çonin t’i djegin dhe po brohorisnin rroftë Partia Socialiste.
Dëgjoni pak, me ligjin që kreu i tyre, Edi Rama votoi në parlament, i jep një goditje fatale hetimit, procesit të hetimit dhe procesit të akuzës.
Organi i parë që duhej të reagonte është ky organ, i cili ndaj një ligji të tillë në mënyrën më të turpshme heshti si fija e barit.
Ndërkohë, unë u informova nga Strasburgu se Këshilli i Evropës nuk është absolutisht dakord në asnjë nga ndryshimet e bëra nga Edi Rama. Nuk ka dhënë asnjë miratim për këto ndryshime dhe këtë ia ka bërë të qartë Edi Ramës.
Çfarë nënkupton heshtja e tyre?
Heshtja e tyre nënkupton se këta janë pjesë e komplotit që i bëhet këtij vendi për të shkatërruar hetuesinë tani që në skenë erdhi Edi Rama me hajdutët e tij.
Pra, heshtja e tyre tregon se kemi të bëjmë me një marrëveshje midis tyre dhe Edi Ramës, unë gjithnjë u kam deklaruar ju se ky është një seksion i shpifur i PS.
Se këta janë njerëz pa ligj dhe moral.
A mundet institucioni qendror i akuzës, siç është SPAK-u për zyrtarët, të heshtë para ligjit, i cili paralizon hetimin?
A mundet një institucioni i drejtësisë të heshtë para ligjit që rikthen censurën e diktaturës?
Që përjashton mediat nga misioni i tyre i informimit të publikut.
A mundet një institucion i vërtetë i akuzës të heshtë para faktit se do të detyrohet t’ia çojë provat për të miratuar gjykatësi, pa bërë gjykimin, që e shndërron gjykatësin në hetues në një akt të pashembullt?
Dhe këta heshtin si fija e barit, si hija e turpit dhe tregojnë se çfarë mercenarësh janë.
Por ne sigurisht ne ndjekim interesat e qytetarëve dhe shtetit ligjor.
Dhe shteti ligjor dhe interesi i qytetarëve është që të ketë hetime që prokurori të ketë të drejtën të hetojë plotësisht cilindo.
A mundet tani të gjobitet çdo qytetar shqiptar që do të ftohet për të bërë një sqarim, për të bërë një dëshmi, duhet të paguajë edhe avokatin, të ketë avokatin me vete?
A është kjo një marrëveshje midis kreut të Meduzës, Padrinos dhe Dhomës së Avokatisë, këtë unë nuk e di, por ka shumë dyshime.
Pra kemi të bëjmë me këtë heshtje, me një marrëveshje trelaterale, Padrino-SKAP-Dhomë Avokatie.
Çfarë qenka kjo, të gjobitësh qytetarët pse thirresh për të dhënë një sqarim, një dëshmi, të marrësh avokat me vete?
E kuptoni apo jo?
Kjo do të thotë se si t’i gjobisësh më shumë qytetarët shqiptarë.
Me një fjalë, duke dënuar me forcën më të madhe ligjin që shkatërron plotësisht procesin e hetimit, e nxjerr atë jashtë të gjitha standardeve të parimeve ndërkombëtare të hetimit dhe kombëtare të Kushtetutës, dënoj me forcën më të madhe heshtjen e turpshme të këtij institucioni, që në qoftë se u kujtohet ju, e kishte për borxh dhe detyrë të lëshonte komunikata edhe për kollitjet e mia. U kollit, thoshte, aty afër.
Dhe tani që faktikisht paralizohet hetimi, meqenëse është për partinë e tyre, nuk flasin një fjalë.
Pyetje: Zoti Berisha, cili është qëllimi sipas jush, ndër rreshta, të këtyre ndryshimeve ligjore?
Sali Berisha: Qëllimi është vetëm një, telefonat e Ramës, mesazhet e Edi Ramës, mesazhet e Linda Ramës, mesazhet e Olsi Ramës.
Se tani çfarë ka ndodhur?
Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Vlora Hyseni dhe i gjithë enturazhi po e kuptojnë që i ka shitur Edi Rama.
Po, po, i pabesi besë nuk ka.
Edhe ai nuk mund të jetë i pabesë vetëm me mua, po qe i pabesë ndaj meje, është i pabesë ndaj të gjithëve.
Pra pabesia nuk është selektive.
Pra, ky i ka shitur dhe ata kanë filluar të flasin.
Ata e kuptuan që i kishte dhënë të gjitha porositë, të gjitha garancitë, ky njeri i lëshoi në duart e policisë.
Dhe ky tani për të zhvlerësuar qindra mesazhe e dokumente të tyre që i ka ky, shkëmbimet me Roni Yeffet, me Ermal Beqirin, me Vlora Hysenin dhe të tjerët në grupin e strukturuar kriminal, për të çliruar veten nga këto… po nga Lubia, si i tha Lubia, 60 përqind të mesazheve janë tuat aty në dosje, nga 6 mijë mesazhe, 4 mijë janë tuat, nuk janë të miat.
Pra është e tëra për të shpëtuar Edi Ramën nga provat të cilat nuk mund t’i zhvlerësojë kurrë.
Prisni, në Këshillin e Evropës, me zyrtarët e lartë me të cilët unë bisedova, shtrova problemin se ky u përpoq t’i zhvlerësonte këto me Gjykatë Kushtetuese.
Në qoftë se u kujtohet, u dërguan regjistrimet e dosjes Metamorfoza dhe po të merrnin ato goditje, do merrnin të gjitha. U dhanë dhe miliona, miliona euro aty, u bë një turp i madh, se ç’u bë, nuk u mor vesh, por në fund dështoi në atë përpjekje.
Dhe tani do të bëjë ligjin t’i zhvlerësojë me ligj.
Kjo është e gjitha.
Por heshtja e tyre i inkriminon nga i pari tek i fundit.
Pyetje: Zoti Berisha, po ashtu ka disa nene të tjera të cilat lidhen dhe prekin drejtpërdrejt punën e gazetarëve. Dhe njëri nga nenet e propozuara në projekt-draft është që ne nuk mund të publikojmë asnjë lloj informacioni pa marrë miratimin e gjykatës. Po ashtu, ka vendime të cilat mund të klasifikohen për 10 vjet. Pra, nëse një person dënohet për 10 vite, publiku nuk e di se për çfarë është dënuar. Dhe një pikë tjetër lidhet me çështjet të cilat pushohen. Vendimet e pushimit nuk mund të publikohen për një vit. Pra, nëse dikujt i pushohet çështja, për të cilën ka qenë në hetim, publiku për një vit nuk e merr dot vesh.
Sali Berisha: Diktaturë e vërtetë, e hapur. Vetëm në diktaturë, vetëm dosjet e Sigurimit të Shtetit, dhe jo të gjykatave, sepse gjyqet i bënin publike kundër armiqve, por dosjet e Sigurimit të Shtetit ishin top sekret dhe po të botoje një gjë prej tyre, përgjigjja.
Ka marrë krejtësisht modelin e vjetër. Ka marrë modelin e diktaturës, është vendosje e diktature dhe unë ftoj gazetarët të mblidhen me urgjencë dhe të reagojnë ndaj këtyre ligjeve, të cilat, e vërteta është, vendosin censurë të rrezikshme ndaj tyre.
Vendosin censurë të rrezikshme ndaj tyre!
Zoti Berisha, më 27 shtator, Rama po kthehej nga Amerika ndërsa ju po niseshit drejt një udhëtimi tjetër. A kishte një takim mes jush në hollin e aeroportit të Rinasit?
Sali Berisha: Unë po shkoja në Strasburg, ku pata takime të shkëlqyera. Ai u kthye nga Amerika ku u takua me Pirinin dhe Taulant Ballën.
Tani a mund të imagjinojë kush që të takoj një njeri që nuk e takon njeri?
Po kurrën e kurrës, a mund të po e jo! As mund të denjoj t’ia hedh shikimin atij unë!
Si mund ta takoj unë atë?

