Kryeministri Edi Rama ka prezantuar modelin e ri të Prokurimit të Përqendruar, duke paralajmëruar një tjetër risi teknologjike në administratën publike: pas Diellës, në këtë fushë pritet të shfaqet edhe një personazh i ri, i quajtur Gjoni.
Sipas Ramës, modeli i ri synon të ndryshojë mënyrën e realizimit të prokurimeve publike përmes centralizimit, digjitalizimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale. Kreu i qeverisë premtoi më shumë siguri, shpejtësi dhe transparencë në administrimin e fondeve publike.
Por vëmendjen gjatë prezantimit e mori pikërisht paralajmërimi për Gjonin, i cili, së bashku me Diellën, do të përfshihet në proceset e prokurimit.
“Është edhe Gjoni që do të shfaqet së shpejti në këtë fushë, i cili do të merret specifikisht me një sërë procesesh të prokurimeve publike. Kur Diella bashkë me Gjonin do të jenë shumë më tepër në zotërim të procesit, atëherë besoj që krijohet bindja që po ka fitues me të drejtë dhe ka humbës me meritë”, deklaroi Rama.
Megjithatë, kryeministri pranoi se sfida kryesore nuk qëndron vetëm te zhvillimi i procedurave dhe lidhja e kontratave, por te zbatimi i tyre deri në përfundim.
Sipas tij, pikërisht në këtë fazë evidentohen dobësi që në disa raste janë edhe dramatike, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.
Kështu, ndërsa Diella ka marrë tashmë vëmendjen në administratën publike, Rama paralajmëron edhe ardhjen e Gjonit. Mbetet për t’u parë nëse dyshja e re teknologjike do të sjellë vërtet transparencën e premtuar në prokurime.

