Për të pasur një ide të qartë se çfarë “Çlirimi” u bë më 29 Nëntor 1944, mes tjerash duhet lexuar libri “INTERNIMI I KUFOMËS” nga autori Marçel Hila, një libër jashtëzakonisht i mirë që na dëshmon për barbaritë e kryera nga komunistet “Çlirimtarë” menjeherë sa erdhën në pushtet më 29 Nentor. 1944…Libri është bazuar në ngjarje reale, është bazuar në jetën e Zoi Xoxes, të cilit ja morën shtëpinë dhe e internuan ditën që i vdiq djali 16 vjeçar, Muzaka!?… Nuk e lanë as të varroste të Birin në Tiranë, por e urdhëruan të shkojë në internim në Shtyllas të Fierit, bashkë me trupin e pajetë të djalit që e urdhëruan ta merrte me vete në internim?!
…I vdekuri në internim!?
Makabritete që vetëm katilë të pashpirt si komunistët mund t’i bëjnë!
-“- Shiko, lexoje këtë letër! – i tha Mithat Beshiri, Zoit, pa e përshëndetur e pa asnjë hyrje, duke i zgjatur para një shkresë, me firmë e vulë. Ishte urdhër-dëbimi. Zoi e mori. Sapo deshi t’i hidhte sytë ta lexonte, Mithat Beshiri i dha edhe një tjetër e i tha aty për aty: – lexoje edhe këtë! – e i dorëzoi urdhër-sekuestrimin e pasurisë. I turbulluar Zoi filloi t’i lexonte. Ishte urdhri që ata duhej të largoheshin urgjentisht nga shtëpia e të degdiseshin në Shtyllas të Fierit. Urdhri tjetër thoshte se e gjithë pasuria e tij, kudo që të ishte dhe në dorë të kujtdo që të gjendej, sekuestrohej. Shtëpia i kalonte një farë Muço Mevlanaj, emrin e të cilit nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë në jetën e tij…”
-“- Shoku oficer, ju lutem, të paktën sa të varros djalin dhe iki, vetëm më lini sa të varros çunin! – e bëri një gjest, si të donte të thoshte se kam vetëm këtë kërkesë.
Dy ushtarët, ndërkaq kthyen. Iu afruan oficerit dhe Mithat Beshirit, që po rrinin në hije, mbështetur për mur. Diçka i përshpëritën komandatit të tyre të kompanisë. Ai, sapo e mori përgjigjen, i bëri me gisht Zoit që të afrohej e i tha:
– Lironi shtëpinë! Nuk ju jepet kohë! Vendimi i marrë nuk anullohet! Duhet të dilni!
– Ju lutem, shoku komandant! Të paktën, sa të varros djalin!
– Jo! Djali dëbohet bashkë me ju! Varroseni atje ku do të shkoni!
– Si? Të varros djalin atje? – tha me habi Zoi.
– Po, se emri i tij është në listë këtu, sipas certifikatës. Jeni të dëbuar! Bëhuni gati e dilni!
– Po dal, por … po pres karrocën e të vdekurve këtu jashtë, po varros djalin dhe … ç’të bëj, … po nisem! Ta varros të paktën! – tha duke mërmëritur Zoi. Deshi të merrte aprovimin, si në heshtje, të paktën, për varrimin e të birit në Tiranë.
– Do ta varrosësh atje ku po shkon! Jo në Tiranë! Do ta marrësh me vete. Ky është urdhri!
– Aman, more burrë … më kuptoni, mos kështu! – tha Zoi me vuajtje të dukshme në fytyrë…”
Mare nga faqja e Rexhep Shahut

