Aktori i njohur Jim Belushi, prej disa ditësh i është përgjigjur ftesës së kryeministrit Edi Rama, për të qenë prezent në Shqipëri. Promovimi i legalizimit të kanabisit, me qëllim parësor shkatërrimin e krimit të organizuar, ishte kryefjalë e bisedës së tij të mbajtur sot në COD, në kryeministri.
Aktori i njohur i mëshoi faktit se miratimi i ligjit të propozuar në Parlament për legalizimin e kanabisit do të ishte në të mirë të vendit. Po ashtu ai vlerësoi investimet që janë bërë në vend, rrugët, prishjen e ndërtesave të paligjshme si ato te “Lana”. Aktori u ndal dhe tek vizita e tij në Devoll, prej nga vjen familja e tij.
“Ndërsa qyteza ime Devolli, është ai fshati mistik aq i bukur prej nga vjen babai im, familja e nënës sime, të afërmit e mi. Ishte një përvojë shumë e bukur dhe e veçantë, të kthehesha aty. Përjetova shumë emocione të fuqishme dhe ende jam duke përpunuar në kokën time atë që përjetova aty. Ai ishte një fshat që unë e njihja, e njihja se aty është rrit nëna ime gjyshja ime. Unë as sytë nuk mund ti shqisja nga ai fshat që më sillte kujtime, çdo njeri, ushqimi çdo gjë”, tha ai për mediat.
Belushi u ndal edhe tek mikpritja e shqiptarëve , traditat e vendit, duke theksuar faktin se edhe shërbimi në restorante është përmirësuar.
“Unë vetëm mund t’ju tregoj për ushqimin. Kur vjen këtu nuk mund të ruash dietën amerikane. Kemi ngrënë aq mirë dhe aq shumë. Ushqimi këtu është i mrekullueshëm, madje kemi thënë pse njihet Italia për ushqim, kur këtu është ushqimi aq i mirë. Nuk ndalonim së ngrëni duke filluar nga perimet, sallatat, mishi, byreku e plot të tjera. Fatkeqësisht është ushqimi më i mirë në botë dhe ndoshta duhet të jetë dikush me disiplinë që të haj këtë ushqim. Ushqimi ka qenë i mrekullueshëm që nga tirana e deri në Korçë e Lazarat.”, tha aktori.
Jim Belushi në Lazarat, si aktor apo si fermer kanabisi?
Aktori njihet dhe për fermat e tij, ku siç thotë, kultivon kanabisin, i cili nëse përdoret në doza të kontrolluara siç thotë aktori, ndryshe nga alkoli nuk shkakton probleme ne shëndetin.
Jim Belushi, prej dy ditësh po qëndron edhe në Gjirokastër ndërsa sot është shfaqur në Lazarat bashkë me kryebashkiakun Flamur Golemi.
Po ç’ne Jim Belushi në Lazarat?
“Me të madhin Jim Belushi në Lazarat, për të eksploruar fshatin që pavarësisht të shkuarës, ka potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit dhe është gjithashtu një shesh-xhirimi perfekt për projekte kinematografike ndërkombëtare si ai që po bën aktori shqiptaro-amerikan.
Të tjerat më vonë…”, shkruan kryebashkiaku i Gjirokastrës.
Kujtojmë që Jim Belushi është edhe një fermer kanabisi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kaliforni ai zotëron një fermë të madhe të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore.
Për vite me radhë Lazarati ka qenë vendi kryesor i kultivimit të kanabisit në Shqipëri, ndërkohë qeveria “Rama” po bën gati një ligj për legalizimin e kësaj bime. Në këtë kontekst kushdo mund të ketë hamendësimet e veta rreth pranisë së Belushit në Lazarat.
Edhe pse kryeministri Rama, gjatë takimit që pati me Belushin, deklaroi se ai ka ardhur në Shqipëri për një dokumentar që do shfaqet tek Discovery.
Si do të funksionojë legalizimi i kanabisit në Shqipëri?
Qeveria shqiptare pritet të publikojë projektligjin për konsultim publik në lidhje me legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor. Ky hap ka ardhur menjëherë pas rezultateve të nismës së kryeministrit të vendit Edi Rama të kurorëzuar ”Kuvendimi Popullor” ose “Këshillimi Kombëtar”.
Të pyetur mbi legalizimin apo jo të kanabisit për përdorim mjekësor, 61 për qind e shqiptarëve janë shprehur pro lejimit të kultivimit. Kundër ishin vetëm 29 për qind e qytetarëve. Vetë Rama, qysh në krye të herës theksoi se rezultatet e këtij procesi do të fillojnë të zbatohen “shumë shpejt”.
Lidhur me rrjedhojën e këtij vendimi, Rama ka sqaruar se në Shqipëri nuk do të lejohet përdorimi vetjak i kanabisit. Kreu i qeverisë ka deklaruar se kultivimi do të bëhet në kushte shumë strikte laboratorike, super të kontrolluara dhe super të certifikuara.