Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë vizitës në SHBA, ku mori pjesë në Konventën e Republikanëve, midis të tjerëve ka takuar edhe Kongresmenin Joe Wilson, kryetar i Komisionit te Helsinkit të kongresit të SHBA.
Berisha thekson se gjatë këtij takimi:
“Diskutuam, mbi pasojat e narkoshtetit dhe farsës zgjedhore nevoja për qeveri teknike në Shqipëri dhe gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri”
Reagimi i plotë i Liderit demokrat:
Takim me Kongresmenin Joe Wilson, kryetar i Komisionit te Helsinkit të kongresit të SHBA:
Diskutuam, mbi pasojat e narkoshtetit dhe farsës zgjedhore nevoja për qeveri teknike në Shqipëri dhe gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu, pata kënaqësinë të zhvilloja një takim të rëndësishëm me kryetarin e Komisionit të Helsinikit të Kongresit të SHBA. Diskutimi ynë u përqendrua në problemet madhore me të cilat përballet Shqipëria, kryesisht trafiku i drogës dhe narkoshteti, korrupsionin galopant qeveritar dhe ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë në shndërrimin e zgjedhjeve në farsë zgjedhore.
Lufta ndaj karteleve të drogës dhe ndikimi te zgjedhjet u trajtuan gjerësisht në këtë takim.
Gjatë takimit u vu theksi te qëndrimet e shprehura nga Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, sipas të cilëve partneriteti strategjik me Shqipërinë synon në radhë të parë luftën pa kompromis ndaj trafikut dhe karteleve të drogës janë një shpresë për shqiptaret. U denoncua fakti se krimi i organizuar dhe paratë e drogës të lidhura me nivelet më të larta të qeverisjes po përdoren nga administrata dhe qeveria e sotme e Edi Ramës për të manipuluar zgjedhjet, për të kontrolluar pushtetin dhe për të pastruar paratë e drogës.
E njohëm kongresmenin amerikan me situatën jashtëzakonisht të vështirë ku ndodhet vendi. Kryeministri Rama ka shkatërruar Kushtetutën dhe të gjitha institucionet e pavarura, duke përqendruar në duart e tij një pushtet absolut që prodhon korrupsion absolut. Po ashtu, ngritëm shqetësimin se të drejtat e opozitës në Parlament shkelen dhe nuk respektohen. Kryeministri kontrollon plotësisht drejtësinë dhe e përdor atë si armë politike kundër opozitës me qëllim mbajtjen e pushtetit. Ai refuzoi t’i heq imunitetin zv/kryeministres Balluku duke i bllokuar kështu haptas drejtesinë dhe luftën kundër korrupsionit. Në këtë takim e falenderuam Kongresmenin Joe Wilson për interesin e tij për gjendjen në Shqipëri dhe qëndrimet e tij të lidhura me zhvillimet në rajon!

