Një përplasje deklaratash pati në OKB midis Ambasadorit të Shqipërisë dhe zv/ambasadorit të Rusisë.
Ata janë përplasur ashpër në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.
Diplomati rus Gennady Kuzmin sulmoi Kosovën,dhe akuzoi UÇK-në se ka kryer krime lufte.
Dhe për të tilla krime është përdorur dhe territori shqiptar, u shpreh Kuzmin
“Më lejoni t’u bëj një pyetje kolegëve tanë perëndimorë, çfarë mendoni se ndienin të afërmit e njerëzve që ishin shitur në skllavëri ose që i ishin hequr organet kur shikonin ‘udhëtimet europiane’ dhe ‘turet politike’ të Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt dhe bashkëpunëtorëve të tyre? Dhe si u fut lufta kundër pandëshkueshmërisë në këtë skemë?”, tha ai.
I menjëhershëm ishte reagimi i ambasadorit tonë, Ferit Hoxha. Ambasadori shqiptar kujtoi luftërat në ish-Jugosllavi si shembull të nevojës për institucione që ndëshkojnë kriminelët e luftës. Gjithashtu ai përmendi, në fjalën e tij, genocidin serb.
“Verifikimi i krimineleve të luftës, mohimi i genocidit apo rishikimet e historisë janë të papranueshme. Ato nuk duhet të gjejnë vend gjëkundi, aq më pak në Ballkanin Perëndimor duke qenë se çnderojmë kujtimin e mijëra viktimave të genocidit në Srebrenicë apo mizorive në Vukovar e në Reçak”, tha ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha.
Ndërsa për emrat që përmendi diplomati rus, Hoxha u shpreh: “Mos e përmend Ramush Haradinajn se ai nuk u fsheh, la postin e kryeministrit, dhe shkoi vetë në Hagë kur u akuzua – a janë gati rusët e akuzuar për krime lufte të bëjnë të njëjtën gjë?”