Edi Rama vijon të heshtë 12 ditë pasi u publikua audiopërgjimi nga Arben Ahmetaj ku miku i tij ngushtë, Ron Yeffet flet për trafik ndërkombëtar armësh dhe prezantohet si koordinator i punëve të pisëta dhe padron i disa ministrave.
Edhe pse ka reaguar duke ndaluar hetimin parlamentar që kërkoi Partia Demokratike, Edi Rama mendon se nuk i detyrohet asnjë sqarim publikut, edhe pse prej 12 ditësh flitet për mikun e tij izraelit që bën çfarë të dojë me tenderat, me projektet strategjike, me fondet, me qeverinë.
Ron Yeffet është prova e një inkriminimi të ri edhe më të rëndë të Edi Ramës, nga sa kemi parë këto 14 vite. Ai hesht dhe e ndaloi transparencën rreth tij për këtë arsye, sepse skandali është përvëlues.
Hetimi parlamentar do të nxirrte në pah mekanizmin korruptiv e kriminal që ka ngritur Edi Rama me koordinatorët e tij për punët e pisëta, që janë disa. Në një sektor Gysi, në disa ministri Roni, dhe së shpejti po vjen dhe Sanieli, që do të jetë koordinatori i shëndetësisë.
Mjafton të kujtojmë disa nga qëndrimet e mikut Izraelit të Edi Ramës për të kuptuar se çfarë qeverisje kemi. Ai u thotë partnerëve ukrainas se është caktuar nga Kryeministri për të kryer punët e pisëta. U thotë se në dispozicion është ndihmësi i Kryeministrit (Ermal Rraketa kur punonte në Kryeministri pa u bërë Ministër). U thotë se këtu tek ne, të mos shqetësohen se nuk ka tendera, bën ai si të dojë me procedurat. U thotë që të mos dërgojnë shkresa zyrtare nëpër ministri, pasi përgjigjet ai.
Të gjitha këto të konfirmuara tanimë edhe nga kompania ukrainase që me anë të avokatit të saj ka pranuar se këto biseda janë bërë, por është distancuar nga Ron Yeffet duke deklaruar se nuk kanë më lidhje me këtë spekullant.
Vetëm Edi Rama ende nuk është gati ta bëjë një hap të tillë.
Pse? Se ka ende punë për të bërë. Është Aeroporti i Vlorës në lojë.


