Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua sot në Bruksel me Zëvendës Presidenten e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
Në një reagim në rrjetin social X, Ministri Hoxha theksoi se “në takim rikonfirmova linjëzimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, duke reflektuar angazhimin tonë të palëkundur ndaj parimeve dhe përgjegjësive që ndajmë me partnerët tanë evropianë.”
POSTIMI I PLOTË I MINISTRIT:
Kënaqësi të takohesha me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë dhe Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, në Bruksel, në kuadër të vizitës sime të parë jashtë vendit, në detyrën e re.
Me këtë rast rikonfirmova linjëzimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, duke reflektuar angazhimin tonë të palëkundur ndaj parimeve dhe përgjegjësive që ndajmë me partnerët tanë evropianë.
Shqipëria mbetet një partner i fuqishëm dhe i besueshëm i Bashkimit Evropian, duke mbrojtur me vendosmëri vlerat që qëndrojnë në themel të projektit tonë të përbashkët evropian dhe duke kontribuar aktivisht në stabilitetin rajonal dhe në sigurinë e kontinentit evropian.
Në një kohë kur lufta, konfliktet dhe kërcënimet hibride sfidojnë gjithnjë e më shumë sigurinë evropiane dhe globale, mbetet thelbësore të ruajmë një angazhim të fortë në mbështetje të paqes, demokracisë dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla të pranuara ndërkombëtarisht.
Në këtë fazë të rëndësishme të rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, forcimi i Partneritetit për Sigurinë dhe Mbrojtjen me BE-në, tashmë në vitin e tij të dytë, dëshmon vendosmërinë tonë për të thelluar dialogun dhe për të rritur bashkëpunimin praktik në mbështetje të qëndrueshmërisë strategjike dhe kapaciteteve mbrojtëse të Evropës.
Si një anëtare e përkushtuar e NATO-s dhe një vend kandidat i angazhuar për anëtarësim në BE, Shqipëria mbetet e gatshme të kontribuojë më tej në sigurinë tonë kolektive përmes forcimit të kapaciteteve dhe gatishmërisë së saj, mbështetjes së menaxhimit të krizave dhe rritjes së qëndrueshmërisë sonë të përbashkët, duke kontribuar gjithashtu në forcimin e rolit të Bashkimit Evropian në skenën globale. 🇦🇱🇪🇺
LINK: https://x.com/hoxhafer/status/2031408612472480020?s=46

