Grupi Parlamentar i Partia Demokratike e Shqipërisë ka kërkuar marrjen e masës disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 60 ditë” ndaj deputetit Taulant Balla, pasi gjatë seancës plenare të 5 marsit 2026 përdori gjuhë fyese, seksiste dhe diskriminuese ndaj deputetes Albana Vokshi.
Sipas PD-së, deklaratat e Ballës kanë cenuar rëndë dinjitetin e Vokshit si deputete dhe si grua, duke shkelur Rregulloren e Kuvendit dhe Kodin e Sjelljes së Deputetit, të cilat ndalojnë përdorimin e gjuhës fyese, diskriminuese dhe çdo formë ngacmimi seksual.
Kërkesa për masë disiplinore është firmosur nga 20 deputetë të PD-së, të cilët kërkojnë që ndaj Ballës të zbatohet masa maksimale prej 60 ditësh përjashtim, për të dhënë edhe një mesazh të qartë se gjuha diskriminuese dhe ofenduese ndaj grave është e papranueshme në Kuvend.




