Anija “Molivia” me 102 kontenierë me mbetje toksike industriale të uzinës metalurgjike KURUM, është ende në radën e jashtme të Portit të Durrësit. Nuk pritet të ketë “rezistencë” nga autoritetet shqiptare për të mos e pranuar ngarkesën që brat anija, pasi prokuroria ka urdhëruar shkarkimin e saj dhe ruajtjen e konteinerëve në një zonë jashtë portit, nën administrim shtetëror.
Historia duket se do të fillojë pikërisht këtu.
Çfarë do të bëhet me këto mbetje?
A mund të rieksportohen ato në vende të tjera që bëjnë asgjësimin apo ritrajtimin e tyre?
A do të tentohet të depozitohen “diku” brenda territorit të vendit?
Deri tani askush nuk ka një përgjigje për fatin e kësaj sasie mbetjesh.
Autoritetet përgjegjëse janë tërësisht të papërgatitur dhe deri tani kanë zgjedhur të heshtin. Njësoj siç bënë në gusht, kur u zbulua eksportimi i tyre, që rezultoi të ishte, së paku, problematik në raport me ligjet ndërkombëtare.

