” Gurët e Shakalit” ndodhen në anën veri – lindore të Stojanit . Këtu kalonte rruga në të cilën libohovitët udhëtonin në drejtim të Suhës nëpërmjet urës së tundur (pasarelës), mbi të cilën ata kalonin me kafshë dhe me bagëti.
“Vithimë e Buretos” quhet vendi, ku thuhet se aty ka qenë fshati Stojan i braktisur. Ndërmjet “Vithimës” dhe fshatit Stojan të braktisur gjendet “Kroi i Stojanit” , i cili ka qenë me kandal të gdhendur dhe govatë , në të cilin pinin ujë edhe bagëtia.
Gurët e Shakalit dhe fshati Stojan i vithisur dhe i braktisur janë dy sipërfaqe të shkëputura që s’kanë asgjë të përbashkët me njeri tjetrin . Në se dikush disponon ndonjë të dhënë apo argument bindës mbi emërtimin e Vithimave të Buretos, mirë do të jetë t’i bëjë ato transparente, pasi realisht këto dy hapësira nuk kanë aspak lidhje me njera tjetrën dhe me malin e Buretos , sepse ndërmjet tyre ndodhet “Rrëza e Dëboit”, e cila është një hapësirë kullosore mjaft e madhe që i mban larg ato me njera tjetrën.
“Gurët e Shakalit” në planin jug – lindje dhe veri – perëndim nuk kanë asnjë rënie apo shkarje per t’i quajtur ata vend i vithisur . Vendi mbi “Gurët e Shakalit” quhet ” Buza e Koqinecit” , nga e cila shkëputen gurë , fenomen i cili ka krijuar një rënie apo rrëshqitje të vendit, por kjo nuk mund të konsiderohet si vithisje .
Si konkluzion: Vithima e Buretos, fshati Stojan, Gurët e Shakalit dhe Varri Monumental janë hapësira tërësisht të veçuara me njera tjetrën, por që në aspektin e përshkrimit mjedisor, zhvillimit historik dhe atij arkeologjik, duhen studiuar domosdoshmërisht .

