Sot mblidhen Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në lidhje me rishikimin e vendimit unifikues në fuqi sa i përket kushteve dhe kritereve në aplikimin e masave të sigurimit personal. Bëhet fjalë për Vendimin nr.7 datë 14.10.2011.
Duke qenë se është investuar personalisht Kreu i Gjykatës së Lartë si dhe nisur nga njohja e tij me kryebashkiakun Erion Veliaj, ky zhvillim i fundit i praktikës gjyqësore ka marrë vëmendje të shtuar.
Personalisht jam pro kësaj lëvizje. Jo sepse po më dhimbset Erion Veliaj dhe hajde t’i bëjmë një shërbim. Ai ka abuzuar me detyrën dhe burgu është vendi i merituar për të. Madje, ai do të duhej të ishte pas hekurave për vdekjen e Ardit Gjoklaj, për shembjen e Teatrit, për megaskemën korruptive të inceneratorëve si dhe për çdo leje ndërtimi që ka dhënë të cilat na e kanë bërë jetesën në kryeqytet më të vështirë, si në kosto financiare ashtu dhe shëndetësore për shkak të ndotjes mjedisore. Që do të thotë; në raport se çfarë ka bërë, akuzat që i janë ngritur janë karramele edhe pse shkojnë në total 13 të tilla ku në fund të gjykimit, edhe nëse i ndryshohet masa e sigurimit, nuk do të ndahet pa burg. Thjeshtë do të bëjë çantat gati pas pothuaj një viti, kur të jetë mbyllur edhe faza e shyrtimit gjyqësor, e do niset me pushime të gjata!
Jam pro kësaj ndërhyrje për një arsye shumë të thjeshtë: po bëhet nga gjyqësori dhe jo nga politika. Avokatët, prokurorët dhe gjyqtarët e dinë më mirë se çdokush tjetër se ku i pikon çatia drejtësisë! Përveç kësaj, deri më tani ndërhyrjet e politikës në funksionimin e pushtetit gjyqësor kanë rezultuar dështim. Nuk mundet niveli i Zegjinesë, dhe e të gjitha zegjineve tjera të kësaj mazhorance, të reformojnë apo ndikojnë në funksionimin e një pushteti të pavarur, sidomos atij gjyqësor. Deputetë kartoni, që nuk dinë se çfarë votojnë sepse duhen vetëm për numër, janë kamikazë të demokracisë e si të tillë duhen mbajtur larg çështjeve të kësaj rëndësie, sepse bëhet fjalë për kufizim lirie e jo për projekte korruptive ku zhvatet arka e shtetit apo pastrohen paratë e krimit.
Sot mundet që Kolegjet mos të krijojnë shumicë vendimmarrëse. Por edhe nëse kemi unifikim të tyre, praktika e re nuk do i shërbejë vetëm Erion Veliajt por çdo subjekti tjetër që do të jetë nën hetim. Nuk duhet harruar edhe fakti se unifikimi i praktikës gjyqësore, edhe pse në shërbim të një personi, nuk është si ato ligjet private që ka miratuar kjo mazhorancë. Gama e subjekteve që do të përfitojnë është shumë më e gjerë se e ajo e porositësve.
Ja pra, burgimi i politikanëve paska të mira, jo vetëm që i largon ato nga politika aktive por po sjell që masat e sigurimit personal mos të prodhohen si me fotokopje por të analizohen më me rigorozitet kushtet dhe kriteret para aplikimit të tyre.

