Të shtunën, më 21 mars 2026, në orën 11:00, në sallën “Balsha” të Hotel Tirana International, do të mbahet aktiviteti i organizuar nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Hasi” dhe Diaspora Hasjane, me temë qendrore “Vetëqeverisje lokale për zhvillim të qëndrueshëm”. Ky takim pritet të mbledhë përfaqësues të diasporës, intelektualë, ekspertë të fushave të ndryshme, përfaqësues të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe qytetarë të interesuar për të ardhmen e rajonit të Hasit.
Aktiviteti fillon në orën 11:00 me regjistrimin e pjesëmarrësve, i ndjekur nga hapja zyrtare dhe fjala e moderatorit, i cili do të prezantojë të ftuarit dhe qëllimin e këtij takimi. Në fjalën përshëndetëse, organizatorët do të theksojnë rëndësinë e këtij debati në kuadër të reformës territoriale dhe nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj zhvillimit vendor.
Një nga temat kryesore që do të trajtohet është roli i diasporës në zhvillimin ekonomik dhe social të Bashkisë Has, duke evidentuar kontributin e komunitetit hasjan jashtë kufijve dhe potencialin e bashkëpunimit ndërkufitar. Një tjetër dimension i rëndësishëm është ruajtja e kohezionit kulturor dhe identitar midis Hasit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës, duke theksuar nevojën për politika që mbështesin trashëgiminë e përbashkët.
Një moment i veçantë i takimit do të jetë interpretimi i pjesëve nga Eposi i Kreshnikëve, që i jep aktivitetit një ngjyresë të thellë kulturore dhe lidh të kaluarën historike me sfidat e së ardhmes.
Diaspora Hasjane dhe Shoqata Kulturore Atdhetare “Hasi” organizojnë tryezën “Vetëqeverisje lokale për zhvillim të qëndrueshëm”
Leave a comment
Leave a comment

