Nga: Xhevat Mustafa
Lart e më lart çmimet e të gjitha ushqimeve dhe karburanteve! Domethënë, të 1 kg qumësht, djathë, gjalp; mish, sallam; miell, oriz, makarona, vaj…! Edhe të 1 litri naftë e benzinë, ardhur jo nga Irani!!!
Edhe të 1 filxhani kafeje, kakaoje, çaji; të 1 tekeje rakie e të një gote vere; të një kaushi dhe tasi akullore…! Por, u rritshin edhe shumë më lart se shtati i kryeministrit edhe çmimet e ilaçeve, artikujve të higjienës dhe kozmetikës! Edhe rrogat, përfitimet korruptive, pronat dhe pasuritë e pushtetarëve dhe politikanëve të lartë! Edhe numri i vilave, edhe katet e pallateve dhe kullave të tyre! Edhe nivelet e papunësisë, varfërisë, emigracionit, kriminalitetit; të ndotjes së ajrit, ujit, lumenjve, liqeneve, detrave…!
Edhe përqindjet apo dozat e përbërësve të rrezikshëm për shëndetin dhe jetën e popullit në ushqime, ilaçe, artikuj te kozmetikës dhe higjienës…!
Ah, përpak desh harrova!
U shtofshin dhe rritshin si numër e volum zëri edhe lutjet në adresë të ZOTIT prej shumicës së popullit të thjeshtë!
Sepse, në mungesë 81 apo 35 vjeçare të shtetit demokratik ligjor e social funksional; të pozitës dhe opozitës; të sindikatave dhe shoqërisë civile; të drejtësisë së pavarur nga kryeministri…, në mungesë edhe të POPULLIT, që mund ti dalë përzot vetes, familjes dhe vendit të tij, vetëm ZOTI në qiell ka mbetur për tu bërë derman shqiptarëve!? Edhe pse, e mbajnë veten dhe janë ngjirur duke u lavdëruar se janë të lirë si shqiponja mali dhe trima si luan pyjesh Afrike apo Azie …?!
Meqenëse çmimet e artikujve ushqimorë në Shqipëri i dini mirë, sepse blini për ditë, për ilustrim po fus disa artikuj ushqimorë, me çmimet përkatës nga disa supermarkete në Gjermani. Besoj se e dini se atje pagat dhe pensionet janë 5-10 herë më të larta se sa këtu në Shqipëri, në shtetin e Edi Ramës, Linda Ballukut, Taulant Ballës me shoqe e shokë, që mendojnë për të mirën, shëndetin dhe jetën e popullit sa të vdekurit nën tokë.
Janë edhe me cilësi të kontrolluar, sepse në Gjermani nuk ka kontrollorë si të AKU- së, që i vënë vulat symbyllur, sapo kanë ndjerë rëndimin e xhepave, ose shpejt e shpejt, sapo kujtojnë se ky supermarket ka pronar një oligark të afërt me Rama-qeverinë. Krahasimi mes çmimeve në të dy vendet, pra në Gjermaninë, një nga vendet e para në botë për zhvillim, nivel jetese, shteti social e ligjor… e në Shqipërinë edramiste, një nga vendet e fundit për këto tregues e shumë të tjerë, mund tju dhurojë arsye të bollshme për të kuptuar se ç’ parti e qeveri keni votuar dhe duruar për gati 13 vjet.
Edhe për t’u kujtuar se keni një tufë të madhe me arsye, shkaqe, motive për të protestuar si POPULL, si SHQIPTARË, si NJERËZ, QYTETAR, FAMILJARË, PRINDËR…!
Domethënë, jo si opozitarë, si adhurues dhe mbështetës të PD dhe partive të tjera të opozitës si dhe individualisht, të Berishës, Belind Këlliçit, Ilir Alimehmetit, Jorida Tabakut, Gazmend Bardhit, Tomor Alizotit…!
Nëse ndodh mrekullia t’u mbushni mendjet vetëve të braktisni kafenetë; emisionet e lajmeve me fytyrën dhe zërin e Edi Ramës 5-6 herë ose 12 minuta në 25- 30 minuta dhe serialet turke e të dilni më vete në sheshe proteste, harrojini këta e kujtohuni e mendoni vetëm për vetet, familjet tuaja, për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme!
E marr me mend se e keni shumë të vështirë! Jeni mësuar për mbi 81 vjet të keni mbi të gjitha, edhe mbi vetet, të parë, parti e kryetar, edhe pse ata u kanë nxirë jetën dhe Shqipërinë edhe më shumë e më keq se do ta bënin serbët dhe grekët me ushtri…!


