Në një mbrëmje të zakonshme teksa dëgjon lajmet në vendin nga vjen, sheh që nuk ka më asnjë shenjë të ëndrrave tua dikur. Ndien se fjala “ideal “është bërë një relike e vjetër e groposur. Ajo që në adoleshencën tënde, sillte debatin, revoltën apo ushqente përfytyrimin dhe shpresën e së ardhmes, sot, në shumë biseda publike e private, tingëllon si luks i panevojshëm, herë-herë naivitet.
Pyetjet që më vijnë ndërmend në këtë pikë nuk janë moral por dhembje…
—Pse një shoqëri pushon së besuari në ideale?
—Pse një shoqëri pushon së jetuari me to?
—Pse një shoqëri trembet, e lë vetëm si rasti i gazetares sot apo edhe sulmon kur sheh tek-tuk ndonjë idelalist .
—Pse një shoqëri rri me zemër të ngrirë se herët a vonë edhe ata pak syresh do t’i shesin apo shkelin idealet pa ju dridhur qerpiku!
Diku kam lexuar se epokat e lodhura nga hipokrizia morale prodhojnë boshin e për më tepër në shoqëri si jona që vjen nga një diktaturë e gjatë dhe e egër që shpërfytyroi njeriun në gjenezë e nga një postdiktaturë e tejzgjatur pa formë . Pra me pak fjalë kur trumbetimet e idealit nuk bëjnë vend në realitet, idealet na duken si maska, apo ca me keq si vdekje nga tradhëtia e tyre.
Peshku qelbet nga koka ndaj edhe kjo tradhëti fillon nga ata që duhet të përpiqen për të mirën e të gjithëve. Ata janë kthyer në përvetësues të pacënueshëm, duke na treguar se idealet janë vetëm çmimi për të blerë pushtetin jo për të ushtruar atë . Ato mund të na mashtrojnë ballas, të ndërrojnë ngjyrë si kameleoni, të humbasin ndërgjegjen, të bullizojnë, të kërcënojnë, të zhubrosin karakterin, të ndyejnë burrërinë po aq sa feminilitetin, të degradojnë në heshtje besimin e shoqërisë por vjen një çast që kjo e fundit nuk mërzitet më, as revoltohet veçse bëhet cinike. Ai idealisti që ti votove e zgjodhe ska më sedër, as skuqet e as zverdhet teksa ha turpin e të drejtën me bukë. Madje ka filluar të bëjë edhe arrogantin.
Kjo klimë e mendësi është përhapur si mjegull në çdo fushë të jetës.
Në mjekësi, profesioni që duhet të mbrojë jetën, është kthyer në treg. Pacienti ndien se jeta e tij varet nga pagesa ndaj rrënon një nga besimet më të lashta të qytetërimit, Betimin e Hipokratit.
Nga ana tjetër arsimi, që duhet të ishte laborator idealesh, është fytyra më e lodhur e një sistemi që nuk e vlerëson por e përdor për farsat e tij demagogjike. N, rritet me kulturën e përçmimit të dijes, kur sheh rreth e qark se mund të jetojë si mbret me një nivel minimal shkollimi po i ra në dorë një tender rrugësh. Nga ato rrugët ku nesër pasnesër do të kalojë edhe vet pa krizë ndërgjegjeje apo frikë për jetën.
Pastaj vjen arti, i cili si ndërgjegjja e brendshme e një kombi e që duhet të mbajë gjallë shpirtin kritik të shoqërisë, të jetë frymëzues idealesh, bie në të njëjtin kurth, atë të shndërrimit në“ industri” që prodhon famë për të mbushur boshllëkun e kësaj shoqërie. Momenti kur arti pushon së sfiduari shoqërinë por fabrikon atë për në treg është një hap degradues i tij! Krijuesi që nuk është dëshmimtar i shpirtit njerëzor humbet aftësinë për të mbjellë ideale.
Në këtë gamë të lodhur idealesh nuk mund të përjashtosh shtyllën e ndërgjegjes publike, gazetarinë dhe klerin.
Gazetaria, që në thelbin e saj duhet të jetë drita që ndriçon errësirën e pushtetit, shpesh e gjen veten të kapur në rrjetat e interesave që duhet të demaskojë duke e lënë qytetarin pa një nga pasqyrat më të vërteta të ndërgjegjes së tij.
Një krizë e ngjashme nuk ka përjashtuar klerin.
Feja, nga burim idealesh është reduktuar në rit, a thua vjen nga planet tjetër. Sot sheh një Klerik që bërtet fort për padrejtësinë por nesër e sheh qafë për qafë me të.
Kjo më bën të mos përjashtoj mundësinë se shpeshherë idealistët që çirren fort e kanë këtë një lloj mënyre për të hedhur në treg ofertë-kërkesën përkundrejt atyre që ata godasin.
Kleri po harron dimensionin profetik të fjalës së tij për ti treguar shoqërisë, kufijtë e reagimit.
Po kush ia vrau idealet, shoqërisë sonë?
Mund të renditja shumë faktorë që nga varfëria, hipokrizia e idealmbajtësve, institucionalizimi i padrejtësisë, frika nga të fortët, njerëzit konformistë si “banalitet i së keqes”, kalimi nga nga kultura e “të qenit” në kulturën e “të pasurit”, fragmentarizimi i shoqërisë. Por faktet historikë janë kokëfortë e më kujtojnë se idealet dhe idealistët më të mëdhenj kanë lindur në varfëri. Revolucionet kanë nisur nga njerëz që nuk kishin asgjë përveç besimit të tyre. Varfëria mund të lodhë shoqërinë, por jo deri aty sa t’i vrasë idealet për sa kohë ato kanë kuptim.
Duket se shoqëria jonë, vitet e fundit është “magjepsur”, duke u zhveshur nga përmasat moralit. E drejta nuk po merr vlerë në sytë e saj ndaj ajo lufton veç për pëfitime.
Idealet nuk zhduken përgjithonë për asnjë motiv, përveçse nga vetë individi, kudo që ai vendos të jetojë, në atdhe apo në diasporë , sepse idealet nuk kufizohen nga sistemi apo gjeografia por nga kapaciteti moral i tij. Pa këtë kapacitet qytetërimi plaket para kohe.
Idealet nuk lindin në parlament, spitale, universitete apo institucione fetare por brenda ndërgjegjeve tona. Ajo errësohet kur shoqëria mëson njeriun të jetojë vetëm për interesin e çastit gjë që shkakton krizë identiteti.
Megjithatë të besojmë se do të vijë një brez që do të kërkojë sërish kuptimin e jetës pa i parë idealet si dekor por si energji. Pa to, mund të ndërtohen rrugë, ndërtesa dhe institucione, por nuk mund të ndërtosh të ardhmen, vazhdimësinë.
Pyetja e vërtetë që mbetet është nëse ende kemi guximin t’i riformatojmë idealet e jetojmë sipas tyre edhe kur ato” vriten” nga një proces i gjatë zhgënjimi apo kur një shoqëri si jona i tradhton ato vazhdimisht?

