Paska ftuar Edi Rama sot Estonezët të vijnë në Shqipëri se do të ndihen mirë! Sigurisht kjo është një parullë në rastin e kryeministrit tonë. Realiteti flet ndryshe.
Është kjo arsyeja pse jo vetëm estonezët, por dhe investitorët gjermanë, italianë, amerikanë mungojnë sot. Sepse që të bësh biznes këtu, duhet të jesh ortak dhe klient i Edi Ramës.
Duhet të jesh si Roni i armëve që të kesh sukses. Me status si Alabari që merr falas truallin më të shtrenjtë. Bën hajër po të jesh si McGonigal. Bëhesh pronar po të jesh ai gjenerali i Guardia di Financa që raporton se s’ka drogë. Vetëm nëse kalon në tarafin e Ramës dhe mbështet interesat e tij, të hapen rrugët.
Duhet të kesh fatin e asaj kompanisë turke që mori 50 milionë euro pa bërë asgjë. Apo si miku kinez i kreut të organizatës që po merr 120 milionë euro për smart-city. Pa garë. Afera që zgjidhen me bosin në tavolinë.
Në një vend ku çdo gjë është e paracaktuar, ku tenderat, prokurimet, koncesionet, liçensat i kapin një grusht njerëzish, klubi i ngushtë i kryeministrit dhe familjes së tij, çdo ftesë që u bëhet të huajve për të ardhur këtu, është thjeshtë hipokrizi.
Ajo që thuhet në publik është propagandë. Ashtu si funksionon në praktikë, sipërmarrësit duhet ta zgjidhin në rrugë private.
Kjo e vërtetë e vendit të vogël po me korrupsion të madh, për fat të keq është marrë vesh.
Shumë prej dosjeve më të rënda të abuzimit kanë ardhur nga partnerët. Ndoshta Edi Rama shpreson se bëmat e tij nuk kanë mbërritur deri në Estoninë e largët.
Por gjasat janë që edhe atje Shqipëria është bërë e njohur nga aferat e Kryeministrit më të korruptuar në Europë.

