Nga Irena Beqiraj
Çdo brez fëmijësh në historinë moderne i ka tejkaluar brezat e prindërve të tyre në aspektin e dijes. Secili prej tyre ka kaluar më shumë kohë në arsim formal sesa brezi i mëparshëm, dhe ky investim u ka përmirësuar në mënyrë të matshme vëmendjen, kujtesën, shkrim-leximin, aftësitë matematikore, dhe IQ.
Përmirësimi ka qënë i qëndrueshëm dhe i qartë deri tek gjenerata Z , që brezi i parë në historinë moderne, i cili po performon më dobët se prindërit e tyre në çdo matës të njohurive.
Pavarësisht rritjes së pjesëmarrjes , kohës së harxhuar në shkollë apo rritjes së investimeve publike, fëmijët tanë po performojnë më keq në çdo parametër të dijes.
Paradoksi, më shumë shkollë, më pak njohuri tregon se strategjia që ka nxitur përmirësimin e njohurive për breza të tërë nuk po funksionon më, përkundrazi po krijohet një hendek i madh midis shkollimit dhe zhvillimit kognitiv.
Të dhënat në më shumë se 80 vende tregojnë një model të pagabueshëm . Kur një vend e përvetëson gjerësisht teknologjinë dixhitale në shkolla, performanca akademike bie në mënyrë domethënëse.
Sot më shumë se një e katërta e fëmijëve tanë tani kalojnë më shumë se katër orë në ekrane gjatë një dite tipike shkollore shtatë orëshe. Më shumë se gjysma kalojnë një deri në katër orë. Ndërkohë më pak se gjysma e kohës së harxhuar para ekranit shpenzohet duke mësuar diçka , pjesa tjetër rreth 38 minuta në çdo orë shpenzohen pa asnjë rezultat .
Dr. Jared Cooney Horvath neuroshkencëtar dhe studiues i të nxënit njerëzor, tregon se kur nxënësit përdorin teknologjinë kanë një ndërprerje të vazhdueshme të vëmendjes . Kur vëmendja ndërpritet vazhdimisht, ndodhin tre dukuri – koha humbet për shkak të mbingarkesës së shpërqëndrimit, shkalla e gabimeve rritet dhe formimi i kujtesës dobësohet ndërsa të mësuarit kalon nga kodimi i thellë drejt përpunimit të bazuar në zakone.
Performaca e dobët e fëmijëve tanë nuk është një problem prindëror, nuk është as një problem disipline, por është kushtëzim i përsëritur prej konsumit digjital .
Leximi i thellë, që ndërton të kuptuarit, konkluzionet, vëmendjen e qëndrueshme, aftësinë për të mbajtur në mendje një argumente komplekse kërkon një mënyrë njohëse të ndryshme nga konsumi dixhital.
Studimet e tregojnë qartësisht këtë. Leximi nga ekrani ka një efekt negativ të vazhdueshëm krasuar me leximin në letër . E njëjta gjë vlen edhe për shkrimin. Mbajtja e shënimeve me dorë tejkalon rezultatet e arritura nga mbajtja e shënimeve në laptop në të mësuarin afatgjatë. Shtypja inkurajon transkriptimin fjalë për fjalë dhe përpunimin sipërfaqësor. Shkrimi i dorës detyron përmbledhjen, organizimin dhe kodimin konceptual. Në klasat më të gjata se tridhjetë minuta, hendeku midis shkrimit të dorës dhe shtypjes është i konsiderueshëm.
Studimet kanë qenë aty por ne kemi zgjedhur mjetet , pasi mjetet ishin më të thjeshta e shpejta për tu blerë . Në vend që të përcaktonin se çfarë duhet të jenë në gjendje të bëjnë fëmijët tanë dhe ta ndërtonim arsimin drejt këtij objektivi , ne ndoqëm rrugën më të thjeshtë- e ripozicionuam arsimin për t’iu përshtatur më mirë mjeteve. Ky nuk është progres, ky është dorëzim. Dhe ata që u dorëzuan nuk ishin fëmijët, por institucionet .
Duke pretenduar se po u japim fëmijëve një avantazh, ne po u krijojmë atyre një deficit marramendës në njohuri .
Në mënyrë sistematike, në institucionet e arsimit dhe në shtëpitë tona, ne i kemi dhënë përparësi komoditetit dhe shfaqjes së modernitetit duke neglizhuar gjithçka që fëmijët në të vërtetë kanë nevojë për të zhvilluar mendjet e tyre.
Por fatkeqësisht qeveria lëviz në drejtimin e përcaktuar nga Agasi, i cili ka vendosur të tejkalojmë Gjermaninë e cila përdor akoma faksin . Kompanitë e teknologjisë nuk do të largohen vullnetarisht nga klasat. Askush që përfiton nga politikat aktuale nuk do të vijë të shpëtojë fëmijët tanë.
Ndaj kam 3 këshilla të thjeshta për çdo prind :
1. Printoni. Nëse fëmija juaj po lexon për të mësuar, kjo nuk duhet të bëhet në një pajisje.Librat fizikë dhe tekstet e shtypura prodhojnë një kuptim dhe mbajtje mendore dukshëm më të mirë sesa ekranet.
1. Luftoni për shkrimin me dorë. Shkollat që kanë eliminuar shkrimin me dorë kanë eliminuar një nga mjetet më të fuqishme të zhvillimit kognitiv që kemi. Shkrimi me dorë e angazhon trurin ndryshe nga tastiera . Ai ndërton kodimin e kujtesës, zhvillimin e motorikës së hollë dhe të menduarit kompozicional. Hendeku midis shkrimit me dorë dhe shtypjes rritet në një nivel që duhet të alarmojë çdo prind . Kërkojeni atë përsëri.
1. Mbrojeni monotoninë. Koha e pastrukturuar edhe pa ekran nuk është kohë e humbur. Është gjendja në të cilën zhvillohen funksionet ekzekutive, kreativiteti dhe vëmendja e qëndrueshme. Fëmija nuk ka nevojë të argëtohet çdo moment.


