Është dorëzuar dhe prangosur ish-zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
Ish-zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, për të cilin ishte lëshuar fletë-arrest ndërkombëtar është dorëzuar mëngjesin e sotëm në vendkalimin kufitar Bllacë.
Ministria për Punë të Brendshme e RMV, njoftoi se ai u paraqit në orën 06:10 minuta dhe menjëherë është prangosur.
Sipas autoriteteve, gjatë vitit 2023 Grubi dyshohet se nga veprimet e paligjshme shtetit i janë shkaktuar dëme mbi 8 milionë euro
Më 16 dhjetor 2024, pasi Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit hapi hetim kundër Grubit për keqpërdorime serioze me tenderë në “Lotarinë shtetërore”, u bë e ditur se ai ishte larguar nga Maqedonia e Veriut.
Përveç tij policia e shtetit fqinj është në kërkim të ish-drejtorit të “Lotarisë shtetërore”, Përparim Bajrami dhe ish-drejtorit të EMV-së, Vasko Kovaçevski.



