Duket se rruga që i ka mbetur qeverisë për t’iu shmangur transparencës dhe kontrollit është ajo e krijimit të ishujve institucionalë. Pas zbulimit të grupit të strukturuar kriminal në AKSHI dhe lidhjeve të tij me një bandë që kontrollonte tenderat publikë – pra taksat e shqiptarëve – pritej një reagim i qartë: auditim, transparencë dhe reformë.
Por ndodh e kundërta.
Përmes një deputeti të shumicës socialiste është dorëzuar një propozim ligjor që parashikon kalimin e tenderave të teknologjisë nga një institucion publik, si AKSHI, te një kompani me natyrë publike-private – një strukturë hibride që do të veprojë sipas logjikës së një subjekti tregtar.
Pra, tenderat publikë të digjitalizimit – qindra milionë euro – nuk do të menaxhohen më nga një agjenci shtetërore nën kontroll parlamentar dhe auditim të KLSH-së, por nga një entitet me autonomi të zgjeruar, me rregulla të brendshme dhe me mbikëqyrje të paqartë.
Ky është ndryshimi thelbësor.
Nga një institucion publik nën ligjin e prokurimit, drejt një kompanie që mund të justifikojë mungesën e transparencës me “sekret tregtar”.
Kjo nuk është reformë.
Është zhvendosje përgjegjësie.
Pasi krerët e AKSHI-t janë nën akuzë si Grup i Strukturuar Kriminal dhe pasi mbi 400 milionë euro janë shpenzuar në katër vite, reagimi normal do të ishte auditim i plotë financiar dhe teknik, forcim i kontrolleve dhe rishikim i procedurave.
Por jo. Mishin e pjekim, por hellin nuk e djegim.
Në vend që të pastrohet sistemi, propozohet transferimi i “çelësave” të tenderave te një kompani hibride. Një ishull institucional, larg syve të opozitës dhe larg mekanizmave klasikë të kontrollit.
Ky model nuk është i ri. E kemi parë me Korporatën e Investimeve. E kemi parë me Bankën e Zhvillimit. Struktura që funksionojnë si shtet brenda shtetit.
Pas 400 milionë eurove dhe një institucioni nën hetim, Shqipëria nuk ka nevojë për riciklim strukturash.
Ka nevojë për llogaridhënie.
Teknologjia nuk është problemi.
Kapja e saj është problemi.
Dhe këtë nuk mund ta fshehë asnjë ishull digjital, sado i sofistikuar të duket në letër.
Ndërkohë, ndërsa diskutojmë për entitete hibride, qindra biznese dhe sipërmarrës përplasen çdo ditë me sisteme që bien, me portale që nuk funksionojnë dhe me një shtet që kërkon taksa, por nuk garanton shërbim.
Shqipëria meriton transparencë. Jo ishuj.

