Njerëz, mos i shikoni gratë e politikës si tabela qitjeje ku mund të shfryni dufin e akumuluar nga dështimet tuaja. Kjo është një sëmundje e vjetër, që përzihet me mllefin, me zhgënjimin dhe me atë nevojën primitive për të gjetur fajtorin e radhës.
Gruaja në politikë është bërë shpesh strehë e fajit kolektiv, një figurë ku shoqëria shkarkon gjithë zhgënjimet, që nuk guxon t’ia thotë vetes.
Por politika, me gjithë ndyrësinë e saj, mbetet një fushë e domosdoshme. E kushdo që zgjedh të futet aty, e sidomos një grua, përballet me një barrë që shpesh nuk ka të bëjë me idetë, me programet apo me vizionin, por me gjininë, me zërin, me mënyrën si ecën, si qesh, si vesh një ngjyrë, apo thjeshtë si poston një foto…
Ajo gjykohet jo vetëm për atë që bën, por për vetë ekzistencën e saj në një hapësirë, që për shumëkënd ende “nuk i përket”.
Pa ngjyra politike, çdo grua që zgjedh të hyjë në politikë meriton respekt dhe këtë jo se është më e mirë se të tjerët, por sepse ka guximin të ekspozohet, të përlyhet me baltën e një fushe ku shpesh edhe burrat e stërvitur përplasen.
Pavarësisht baltës, ajo mund të vezullojë si diamant, vlera e saj nuk zhduket nga papastërtitë përreth,dritën e saj nuk mund ta fik dot as balta, as zhurma dhe as turma e xhindisur që kërkon kurbanin me çdo kusht.
E di që shumë njerëz kanë alergji nga vezullimi, ata i pengon drita,sepse jua kujton errësirën që kanë zgjedhur brenda vetes.
Vezullimi i një gruaje që ngrihet, flet, vepron, kërkon të drejtën e saj për të pas zë, është një pasqyrë ku shfaqet paaftësia e shumë të tjerëve për të bërë të njëjtën gjë dhe njerëzit shpesh e urrejnë atë që jua kujton mungesën e vetes.
Një shoqëri që sulmon gratë e saj në politikë nuk po dënon individë, po dëmton vetveten.
Më besoni, çdo grua që detyrohet nga rrethanat të heshti është një perspektivë që humbet, një mënyrë tjetër të menduari që zbehet nga frika e gjykimit dhe paragjykimit.
Shoqëria e pjekur nuk i do gratë dhe nuk i duartroket për bukurinë e tyre, por për forcën që guxojnë të jenë të zëshme, ndrësa tek ne këto bëhen objekte sulmi dhe për këtë i urrejnë edhe për arsyje të tjera, që nuk dihen, ose më mirë dihen por nuk thuhen…
Ndoshta është koha të mësojmë të shohim përtej partive, përtej emrave, përtej etiketave dhe ngjyrimeve.
Të kuptojmë se çdo grua që merr guximin të përballet me baltën e politikës, e bën përtej interesave personale, e bën sepse di që heshtja është një luks që nuk mund të zgjasë.
Në ato beteja të pabarabartë, kur ajo ngrihet dhe flet, nuk flet vetëm për veten. Flet për të gjitha ato gra që heshtin dhe nuk guxojnë të prekin ëndrrat e tyre.
Kjo vlen edhe për burrat, që nuk patën guximin të flasin dhe të kapërcejnë vetveten.

