Edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve del qartë se zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, u kompromentuan rëndë për shkak të shkeljeve të rënda dhe problematikave serioze, veçanërisht në drejtim të: i) shitblerjes së votës; ii) intimidimit të zgjedhësve; iii) shtetit elektoral; iv) sistemit kriminal të patronazhimit; v) manipulimit të votës së Diasporës; vi) angazhimit të krimit të organizuar dhe vii) finalizimit të farsës elektorale në ditën e votimit.
Raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë janë pasqyra më e mirë ku mund të shohë veten Task-Forca SPAK/PP/KQZ për krimet zgjedhore. Pasqyrë, e cila dëshmon dështimin spektakolar të parandalimit të krimeve zgjedhore, por deri më tani edhe të ndëshkimit të tyre. Pasqyrë, e cila bën me turp cdo prokuror, hetues dhe oficer të policisë gjyqësore që kishte për mision të garantonte integritetin e zgjedhjeve parlamentare, por u shndërrua në fakt në alibinë e pushtetit për farsën elektorale të 11 majit.


