Nga televizionet informohemi se Gjykata e Apelit, për shkak të vrasjes makabre, ka pezulluar të gjitha seancat.
Të nderuar gjyqtarë! Imagjinoni pak çfarë mund të ndodhë sikur të gjithë mjekët, policët, ushtarakët, zjarrëfikësit etj, të pezullonin punën po t’i vritej një koleg i tyre?
Për shumë shoqëri, seanca gjyqësore është e shenjtë. Ajo është e ngjashme me ditën e dasmës dhe orarin e ceremonisë mortore.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe pse Europa digjej nga lufta, në shumë vende gjykatat vazhduan të funksionojnë. Në Londër e në shumë shtete, gjatë bombardimeve ajrore gjyqet zhvilloheshin në bodrume.
Në SHBA, gjatë luftës, Gjykata e Lartë vazhdoi të shqyrtonte çështje për të drejtat civile, përfshirë edhe ato të qytetarëve japonezo-amerikanë.
Prandaj, pavarësisht asaj që ndodhi, mos e braktisni frontin dhe mos lejoni që shoqëria të shkojë në anarki.

