Nga Prof. Lili Sula
Çelja e vitit të ri akademik, përveçse sjell urime për studentët që për herë të parë ulen në auditorët universitarë, për ata që vijojnë rrugëtimin e tyre akademik, si dhe për pedagogët, stafet administrative dhe të gjithë ata që kontribuojnë në sistemin e arsimit të lartë, na rikthen në mënyrë të pashmangshme përballë një realitet të hidhur: kriza e thellë dhe e gjithanshme në të cilën ndodhet prej vitesh bota universitare shqiptare.
Zbrazja e universiteteve: Shkatërrimi i heshtur i arsimit të lartë
Auditorët bosh janë pasqyra më e qartë e kësaj krize. Në më pak se një dekadë, numri i studentëve është ulur me 45%. Kjo nuk është vetëm një pasojë e rënies demografike, por një shpërbërje e vetë sistemit arsimor. Universiteti nuk është më ëndrra e të rinjve shqiptarë. Ata largohen, sepse e ardhmja nuk ndërtohet mbi premtime boshe, me diploma që nuk vlejnë, apo mbi institucione të kapura nga interesat politike.
Mësuesia në kolaps, teknologjia si pretekst për mbyllje degësh
Zhvillimi i vrullshëm teknologjik na orienton drejt degëve të informatikës, por kjo nuk përligj mbylljen e rreth 100 degëve studimore mes të cilave janë dhe ato të mësuesisë. Rilindja nuk ka dëshirë ta shohë këtë realitet që po jep pasoja në sistemin parauniversitar, duke lënë shkollat pa mësues dhe brezat pa edukim të qëndrueshëm., ndërsa pa siguruar standarde të universiteteve për studentët shqiptarë propagandon ardhjen e studentëve të huaj
Mjekësia: peng i barrierave të qeverisë
Vetëm këtë vit, numri i maturantëve që konkurruan për Mjekësi të Përgjithshme ra me 40%, për shkak të barrierave të vendosura nga vetë qeveria. Në vend që të nxisë dhe motivojë të rinjtë të zgjedhin degët jetike për shoqërinë, shteti ngrit barriera ligjore që dekurajojnë dhe penalizojnë studentët që largohen për të studiuar në universitete jashtë vendit ose në arsimin jopublik
Reforma pa transparencë, akreditim fasadë
Gremisjen e arsimit të lartë ia bëri të qartë edhe Bordi i Akreditimit kryeministrit : Ligji 80/2015 për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor është kthyer në një dështim të heshtur. Janë bërë 10 vite nga miratimi i tij dhe ende një pjesë e madhe e akteve nënligjore janë të pazbatueshme. Më pak se 40% e programeve universitare janë akredituar, ndërsa mbi 40% e pedagogëve nuk kanë gradën shkencore “Doktor” ; 46% e pedagogëve punojnë me kohë të pjesshme. Në këtë realitet, qeveria flet për një fasadë të re ligjore, por pa bërë asnjë analizë serioze për dështimet e dekadës së fundit.
Ndërkombëtarizimi i rremë dhe financimi më i ulët në Europë
Ndërsa propagandohet ndërkombëtarizimi, financimi për kërkimin shkencor në Shqipëri listohet në fund të Europës, sipas të dhënave të EUROSTAT-it që siç shprehen ekspertët e huaj përbën thirrje për ndryshimin e drejtimit strategjik të vendit. Universitetet nuk mund të bëhen qendra ekselence me propagandë, por me investim të qëndrueshëm dhe vizion afatgjatë.
Humbja e autonomisë institucionale dhe e lirive akademike
Autonomia universitare është në rënie të lirë. Universitetet po shndërrohen në zgjatime të rilindjes.
Në Gjirokastër, administratori i universitetit ishte njëherazi koordinator elektoral i Partisë Socialiste, i cili kërkonte foto të votës si “provë besnikërie”.
Përjashtimi i studentëve nga e drejta e tyre themelore e sanksionuar ne ligjin e arsimit të lartë për të zgjedhur drejtuesin e fakultetit, duke i zhvilluar zgjedhjet më date 1 tetor, pa filluar ende viti akademik.
Në Qytetin Studenti, studentët përzihen me forcë nga godinat, ndërkohë që dhomat shpërndahen me akte korruptive.
Shantazhet ndaj pedagogëve të ndershëm janë bërë normë – shpesh edhe me përdorimin e vetë studentëve kundër tyre gjë që i ka shndërruar universitetet nga tempuj të dijeve në vatra patronazhimi.
Universitetet nuk kanë nevojë për dekor, por për dinjitet. Universiteti është zemra e kombit, që po shuhet nga shpresa për një shoqëri më të lirë. Nuk mund të ketë të ardhme kur rinia largohet, kur pedagogët nënshtrohen.
Arsimi i lartë ka nevojë për mbështetje reale e cila nuk është realizuar në asnjë prej treguesve nga kjo qeveri ndaj sot gjendemi në këtë rrënim, prej nga ku nuk është e largët dita që universitetet shqiptare të mbeten vetëm ndërtesa bosh – pa dije, pa të rinj, pa të ardhme.

