16-vjeçarë që përleshen me thika, mes të cilëve 2 janë transportuar në spital me plagë të rënda – ngjarje shumë e rëndë sot në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamëz që flet për mungesën e sigurisë në shkolla.
Jemi në muajin e parë të vitit shkollor, fillim shkolle i përgjakur
– nga aktet e sotme të dhunës,
– nga ngjarja fatale prej aktit të vetëvrasjes së nxënëses 16 vjeçare e të njëjtit gjimnaz “Ibrahim Rugova”,
– nga akti i 15-vjeçares në Sarandë që tentoi të vetëvritej prej bullizmit në shkollë duke u hedhur nga ballkoni i apartamentit- e këto janë ngjarjet që janë bërë publike, të cilat pa dyshim nuk janë të vetmet.
Ngjarja e sotme nisi brenda institucionit arsimor, që duhet të jetë hapësira më e sigurt për fëmijët dhe jo terren përleshjeje. Konflikti me pasoja të rënda për jetën e nxënësve flet me zë të lartë për mungesën e parandalimit të dhunës në shkollë, mungesën e shërbimit të psikologut, të programeve edukative, të kontrollit për mjete të ftohta.
Me gjithë zhurmën për kodin e etikës dhe masa ndëshkuese deri në përjashtimin e nxënësit që gjendet me celular në klasë- kjo ngjarje e të tjera të këtyre ditëve i rrëzojnë kokëposhtë deklaratat e bujshme të ministres së arsimit në ditët e para të shkollës, si dhe mburrjet e kryeministrit për rritjen e sigurisë në institucionet arsimore.
Sistemi arsimor ka dështuar, ndaj të rinjtë arrijnë deri te dhuna me mjete të ftohta, në vend të zgjidhjeve përmes dialogut dhe kujdesit nga mësuesit, psikologët dhe strukturat e rendit. Sistemi arsimor nuk ofron mekanizma të shëndetshëm për edukimin e brezit të ri me kulturë dialogu, bashkëpunimi, vlerësimi të ndërsjellët, tolerance dhe respekti. Programet sociale e edukative janë inekzistente, psikologët mungojnë, 70% e shkollave nuk ofrojnë shërbimin e oficerit të sigurisë, ndërsa oficerët e policisë shpesh ekzistojnë vetëm në letër.
Institucionet arsimore kanë dështuar në përmbushjen e misionit të tyre primar dhe janë shndërruar ditë pas dite në garantues të përsëritjes së dhunës, bullizmit, konfliktualitetit, pasi politika prej vitesh e trajton dhunën mes të rinjve si episod të përkohshëm dhe jo si lëngatë të sistemit e të shoqërisë.
Fakti që 16-vjeçarë mbajnë thika me vete dhe i përdorin për të zgjidhur konfliktet është pasqyra më e kthjellët e një shoqërie që po e humbet toruan, e cila në vend të përçojë te të rinjtë vlerat më të mira të qytetarisë, t’i trashëgojë e pasurojë ato si modele të përhershme reference, po ushqen te ata modelin e të fortit, gjuhën e bullizmit e të dhunës.
Si është e mundur që nuk kishte asnjë reagim të shpejtë, asnjë ndërhyrje të menjëhershme për shuarjen e konfliktit dhe dhuna u shtri edhe jashtë mureve të shkollës – çka do të thotë se as brenda, as jashtë shkollës nuk pati mbikëqyrje!
Përleshja mes gjimnazistëve provon mungesën e plotë të përgjegjësisë institucionale dhe të vullnetit politik për të njohur dështimet dhe gjëmat e arsimit në kryqendrën e tij, Tiranë. Në nëntor të 2024, adoleshenti Martin u nda nga jeta në rrethanë të ngjashme me të sotmet dhe askush nuk njohu e nuk mbajti përgjegjësi, por fajit iu vesh kostumi i rrjeteve sociale dhe Tik – Tik-ut, i cili u censurua për të gjithë, jo për të shpëtuar fëmijët nga bullizmi, konfliktet e dhuna në shkolla, por për të mbyllur një nga platformat më të ndjekura nga zërat kritikë të qeverisë në periudhën elektorale.
Prindërit i dërgojnë fëmijët në shkollë për dije dhe të ardhme, por realiteti është tragjik: dhuna hyn e del lirshëm nga portat e saj, thika në shkollë, dhunë, gjakderdhje, të plagosur, por oficerë sigurie askund. Qeveria ka dështuar t’u japë siguri dhe shpresë nxënësve dhe prindërve, ka dështuar në kryerjen e detyrimeve ligjore: dje patëm viktima, sot dy adoleshentë me plagë në kraharor, e nesërmja nuk pyet kur troket, gjithçka mund të ndodhë, për sa kohë shkollat janë shndërruar në terrene të përplasjeve fizike me pasoja tejet të rënda e fatale, që dëshmojnë jo vetëm dështimin i sistemit arsimor por dhe atë të sigurisë publike.
Kjo qeveri – që flet e premton reforma në arsim dhe modernizim, por nuk është në gjendje të sigurojë gjënë më bazike: jetën e adoleshentëve brenda dhe jashtë mureve të shkollës – mashtron dhe ka dështuar.
Sot ra sërish alarmi për rrezikun e lartë ku gjenden fëmijët tanë,
sot ra sërish fasada e programit propagandues për 2025-2029 që na u trumbetua së fundmi.

