Koloneli i njohur, ish-Drejtori i Akademisë së Rendit Publik në vitet e para mbas rënies së komunizmit ka rrëfyer në rrjetet sociale një detaj nga puna e tij me studentët.
Shkak për këtë ‘histori’ është bërë një takim miqësor midis tij dhe ish-studentit Dritan Berisha.
Ngjarja rutinë në shkollat ushtarake ka ndodhur në vitin 1995, kur President i Republikës ishte Sali Berisha.
Shkrimi i Z. Doda në Facebook e tij:
Me Dritan Berishën njihemi prej Gushtit të 1993 kur u testua për në Akademinë e Rendit Publik.
Në 1995 kreu një shkelje dhe sipas rregullores së disiplinës së asaj kohe e ndëshkova me “ndalim disiplinor”. E dija se veprimi im do të bënte bujë dhe reagimet do të ishin të shumta por jo me duartrokitje. Disa miq më thanë se isha nxituar, të tjerë më kujtuan se veprimi im do të interpretohej si përplasje “brirësh”. U përgjigjesha se nuk po sfidoja askënd; përkundrazi, studentëve dhe stafit doja t’u përcillja një mesazh të qartë: para ligjit dhe disiplinës askush nuk mund të jetë i privilegjuar. A mund të kisha integritet përballë studentëve, stafit pedagogjik e komandues në Akademi nëse do të toleroja “të fuqishmit” dhe do ndëshkoja vetëm ata që nuk kishin miq?
Pas dy tre ditësh një gazetë, për sensacion, botoi lajmin në faqen e parë dhe me germa të mëdha duke shtrembëruar ngjarjen. Në lajm futën edhe faktin se si zonja e kryeministrit jepte provime me korespondencë. Dihet se publiku beson shumë të shkruarën pavarësisht nga shtrembërimet. Unë ktheva përgjigje sipas rregullave.
Dritanin dhe të gjithë ish-studentët e mi i kam dashur dhe i dua pa dallim, ashtu siç edhe ata më duan e më respektojnë, pavarësisht se disa prej tyre i kam ndëshkuar kur ka qenë e nevojshme. Lideri me integritet duhet të mbrojë parimet, edhe kur vetë parimi është i rëndë për t’u mbajtur. Vetëm kështu mund të qëndrojë me ndërgjegje të qetë.




