Mbaroi një periudhë kufizimi dhe një dënim i padrejtë. Pasoja që solli denoncimi im ishte pozitive për shoqërinë, sepse një trafikant përfundoi në burg. Dënimi im nuk ishte për vepra që dëmtojnë shoqërinë, nuk kam vjedhur, nuk kam vrarë, nuk kam ushtruar dhunë dhe nuk kam bërë korrupsion. Përkundrazi, kam denoncuar me forcë korrupsionin, vjedhjet, vrasjet dhe trafikantët.
Ky dënim u vendos sepse e kam mundur qeverinë, sepse kam goditur trafikantët, sepse kam fituar përballjet politike dhe elektorale me Edi Ramën.
Gjatë kësaj periudhe prove, ashtu siç edhe pritej, nuk kreva asnjë krim, nuk dëmtova askënd dhe nuk i solla asnjë pasojë negative shoqërisë. I vetmi që u ndje i dëmtuar ishte pushteti, sepse unë e kam sfiduar dhe e kam fituar atë me votë e me denoncime.
Unë do të bëj betejë për një shoqëri me rregulla, me drejtësi të barabartë për të gjithë dhe për demokraci të vërtetë. Ky është një angazhim që nuk e ndal asnjë padrejtësi.

