Në historinë e njerëzimit, skllavëria është trajtuar gjithmonë si periudha kur ka ndodhur mohimi më i madh i lirisë për popuj apo individë. Pavarsisht se në dukje kjo histori i përket të shkuarës, për fat të keq në Shqipëri edhe sot, në shekullin XXI, ekziston një formë e re skllavërie, më e padukshme, por po aq shkatërruese: shitja e votës.
Kur qytetari shet votën e tij, ai nuk shet vetëm një copë letër me një kryq mbi të; ai shet lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen jo vetëm të vetes por më shumë. Për një përfitim të vogël, ai heq dorë nga fuqia për të vendosur mbi drejtimin e shtetit. Në këtë çast, ai nuk është më qytetar i lirë, por bëhet skllav i interesit të momentit.
Por skllavëria nuk ndalet këtu. Politikanët që blejnë vota nuk janë më të lirë të qeverisin sipas ligjit e drejtësisë. Ata bëhen skllevër të shefit, korrupsionit dhe krimit. Të lidhur pas oligarkëve dhe rrjeteve të paligjshme që financuan blerjen e votave, ata nuk i shërbejnë popullit, por zotërinjve të tyre të padukshëm. Kështu krijohet një klasë politike e kapur, që mbijeton vetëm duke ushqyer klientelizmin dhe duke shkatërruar institucionet.
Pasojat janë fatale. Demokracia vritet ngadalë, nga brenda, jo me armë, por me para që blen ndërgjegje. Zgjedhjet kthehen në një teatër, ku fletët e votimit janë thjeshtë bileta të një shfaqjeje dramatike e fasadë, ndërsa pazaret e nëntokës janë realiteti. Shteti i së drejtës shuhet, sepse ligji nuk është më i barabartë për të gjithë, por shërbëtor i atyre që kontrollojnë votat.
Në këtë kuptim, shitja e votës është forma më e rrezikshme e korrupsionit. Ajo nuk korrupton vetëm një kontratë, një institucion, apo një politikan; ajo nëpërmjet një numri të caktuar votuesish injorantë, servilë e frikacakë korrupton vetë popullin. Dhe kur populli korruptohet, demokracia humbet shpirtin e vlerën e saj duke marrë trajtë demokrature bajate.
Prandaj, çdo votë e shitur është një zinxhir i ri e gijotinë mbi lirinë tonë.
Çdo politikan i dalë nga pazari i votave është një skllav i krimit, që mbjell padrejtësi, dhunë dhe varfëri. Dhe çdo cikël zgjedhjesh i ndërtuar mbi këtë bazë është një hap më afër vrasjes brutale të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Nisur nga të gjitha teoritë politike, por e faktuar në realpolitikën shqiptare, një regjim që ngrihet mbi blerjen e votave dhe deformimin kriminal të vullnetit popullor është një pushtet i zhveshur nga morali. Ai ka vetëm legjitimitetin e numrave, por jo të ndërgjegjes. Në themel të tij nuk është sovraniteti i qytetarit, por tregtia e lirisë në kurriz të vetë jetës sonë.
Por, a mund të përmbyset një pushtet i tillë nga një opozitë që vetë nuk respekton votën e lirë dhe barazinë e brendshme?
Jo. Një opozitë e kapur nga të njëjtat mëkate nuk është alternativë, por pasqyrë e shtrembëruar e pushtetit. Ajo nuk sjell shpresë, por e riciklon krizën dhe institucionalizon regjimin.
Demokracia nuk ringjallet nga ata që e kanë vrarë brenda partisë së tyre, por nga ata që besojnë tek ajo. Qytetarët nuk i bashkohen një partie opozitare nëse shohin në kupolën e saj politikanë që kanë devijuar votën e anëtarësisë apo procesin e përzgjedhjes së personave apo strukturave drejtuese. Intelektualët, akademikët dhe njerëzit me ndikim real mbi frymën politike dhe elektoratin nuk e gjejnë veten komod nën arrogancën e disa individëve megallomanë e fodullë me spaleta politike që nuk i kanë justifikuar kurrë.
Qytetarët nuk i frymëzon një parti opozitare që nuk pranon defektet e veta dhe nuk vetëkorrigjohet pas humbjes drastike por fshihet vetëm pas agresionit kriminal të regjimit politik e pushtetit të pakontrolluar të kundërshtarëve.
Një regjim i krimit elektoral bie vetëm kur lind ose konsolidohet një forcë politike reale e pastër, e dalë nga ndërgjegjja qytetare, nga zëri i lirë dhe nga refuzimi i kompromisit me korrupsionin.
Sepse kur vota shitet, populli shitet. Dhe kur populli shitet, Shteti i së Drejtës shuhet, demokracia vdes, ndërsa pushteti kthehet në një teatër të përgjakur iluzionesh.
E kjo panoramë e turpshme teatrale duhet të marrë fund në Shqipërinë tonë të sfilitur. Ne tashmë nuk kemi luksin ta trajtojmë si këshillë por duhet ta realizojmë e mundësojmë me çdo kusht e çmim. Një opozitë e fortë e demokratike është dhe duhet të jetë pararendje e fundit të skllavërisë moderne, Demokraturës – Regjimit të krijuar nga politikanët skllevër..
21 Shtator 2025

