Nga Kujtim Morina
Denisi dhe Aliu u takuan në dalje të xhamisë pas faljes së mbrëmjes. Pasi u përshëndetën, ata u drejtuan për të pirë një kafe aty afër.
-Kjo falja e eklipsit të hënës që është falje apo namaz jashtë radhe, më pëlqeu, tingëllonte bukur,- tha Denisi, pasi u ulën.
-Mirë, – tha Aliu,- veçse u zgjat shumë, gati gjysmë ore.
-Ishte paralajmëruar, -tha Denisi. -Unë e lexova në instagram njoftimin e imamit dhe thashë ta ndjek.
-Po, -tha Aliu. -Dhe pastaj suret shumë të gjata, në arabisht. 90% e atyre që ishin të pranishëm, nuk kuptonin asgjë. Të paktën të bëhej një përmbledhje e shkurtër, çfarë sure u përzgjodh dhe mesazhet kryesore të saj.
-Kështu ka qenë gjithmonë, -tha Denisi. -Suret lexohen në arabisht sepse ajo është gjuha e profetit Muhamet alei selam. Kjo është gjuha origjinale e faljes.
-Po, ia ktheu Aliu, – veçse në atë kohë besimtarët kanë qenë të gjithë arabë dhe suret do të lexoheshin në atë gjuhë ndërsa tani besimtarët janë nga dhjetëra apo qindra vende me gjuhë të ndryshme.
-Por ndryshimi i gjuhës është i komplikuar, duhet të vijë nga një autoritet qendror. Kjo është feja pastaj, udhëzimet vijnë për t’u ndjekur, jo diskutuar.
-Dogma, thuaj janë, -tha Aliu. -Dëgjojnë njerëzit gjysmë ore, pa kuptuar asgjë. Kur është bërë falja në arabisht ka qenë të paktën para 1500 vjetësh ose thuaj edhe 2000 vjet meqë besohet se feja islame ka ekzistuar edhe para profetit Muhamet, me profetët e tjerë.
-S’di ç’të them, -tha Denisi ndërsa po rrufisnin kafen e mbrëmjes.
-Mbasi u duk se mbaroi falja,- tha Aliu, -disa njerëz u drejtuan për të dalë. Une po ngurroja se doja të pushoja pak por kur pashë që filloi prapë, dola edhe unë se thashë kushedi sa zgjatet.
-Mos u mërzit, -tha Denisi. -Kjo është njëherë në kushedi sa vjet.
-Si ide m’u duk interesante, -tha Aliu. -Madje poetike. “Falja e eklipsit të hënës”.
-E shpjegoi edhe imami. Këto janë rregullime të të madhit Zot që ka parashikuar gjithçka.
-Unë i kuptoj më shumë si pikëtakime të shkencës dhe fesë.- tha Aliu.
Falja e eklipsit të hënës
Leave a comment
Leave a comment

