Ditën e sotme është bërë prezantimi i paketës ligjore për mbrojtjen dhe kontrollin e territorit me masa administrative dhe penale, me fokus hapësirën publike, ndërtimet pa leje, mbrojtjen nga zjarri
Asnjë objekt në ndërtim nuk do të lidhë ujin dhe dritat pa marrë certifikatën e përdorimit.
Kryeministri Edi Rama tha se arkitektët rrezikojnë licencën në rast se pranojnë deformimin e projekteve.
Qeveria ka gati paketën me masat ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, e cila brenda muajit tetor pritet të shkojë në Kuvend.
Detajet u dhanë nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në një konferencë për mediat nga ku theksuan se tashmë do të ketë një listë të zezë për ndërtuesit që ndërtojnë pa leje. Sipas, paketës së hartuar nga grupi i punës, parashikohet që personat ose subjektet që janë në listën e zezë të përjashtohen 5 vjet nga marrja e lejes. Shefi i qeverisë sugjeroi që ndëshkimi të jetë më i rëndë.
“Në një ndërtim ku projekti i miratuar transformohet e deformohet duke u kthyer nga një ndërtim me leje në abuziv të gjithë janë pjesë e një zinxhiri fajësie në qendër është ndërtuesi. Për këtë arsye, ndërtuesit që do të zihen në këtë faj, do të hyjnë në listën e zezë dhe s’do të mund të marrin më asnjë leje dhe të zhvillojnë asnjë aktivitet ndërtimor për një numër vitesh që mendoj se duhet të jetë më i madh se ai që propozoi grupi i punës”, tha Rama.

