Në kuadër të 79-vjetorit të Kryengritjes së Postribës, një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më domethënëse të historisë së rezistencës shqiptare kundër komunizmit, sot u zhvilluan homazhe dhe një ceremoni përkujtimore në Postribë.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i cili në fjalën e tij theksoi se kjo ditë është një simbol i qëndresës dhe sakrificës për lirinë e Shqipërisë.
Noka kujtoi me nderim burrat e guximshëm që nën drejtimin e Jul Kazazit dhe Osman Haxhisë, vendosën të sfidojnë një diktaturë mizore në kulmin e saj, duke ngritur flamurin e lirisë dhe duke refuzuar çdo formë nënshtrimi.
Ai shprehu mirënjohje të pakufishme për trashëgimtarët e tyre dhe për banorët e Postribës që prej dekadash mbajnë gjallë idealet e demokracisë dhe të lirisë.
Duke e krahasuar kohën e sotme me periudha të errëta të së kaluarës, Noka paralajmëroi se Shqipëria rrezikon të përballet me një diktaturë të re, që është edhe më e egër se ajo e së kaluarës, duke bërë thirrje për qëndresë dhe unitet.

