Reagimi i plotë i Kryetarit të Grupimit “Dhjetor ’90”, ing. Ajet Ramçaj:
Më 12 shtator 1998 vranë Prijësin Studentor, Tribunin e Lirisë, deputetin Azem Hajdari. Me 12 shtator 2025 do mbledhin klikën parlamentare prej 83 deputetësh të dalë nga farsa zgjedhore.
Bajram Begaj, vartësi i bindur i Kryeministrit Rama, ka dekretuar sot thirrjen e seancës së parë të Legjislaturës së XI të Kuvendit të Shqipërisë më datë 12 shtator 2025, plot 27 vite, kur në të njëjtën datë, e njëjta klikë ekzekutoi udhëheqësin e protestave studentore kundër regjimit komunist, Nderin e Kombit, Azem Hajdari.
Thirrja për betim e deputetëve të dal nga zgjedhjet farsë të 11 majit, pikërisht në përvjetorin e vrasjes së deputetit Azem Hajdari është një rivrasje e dytë për kujtimin e tij dhe një kambanë alarmi që ky pushtet shkel mbi çdo Simbol Lirie.
Në nderim të veprës të studentit liberator, në datë 12 shtator që është 27 vjetori i ekzekutimit të shokut e mikut tonë Azem Hajdari, Grupimi “Dhjetor ’90” do të bëj (si çdo vit që nga vrasja e shekullit) homazhet në vëndin ku Heroi u godit nga segmentet qeveritare e dha frymën e fundit.
Ne, ish-studentët e atij dhjetori vendimtar i bëjmë thirrje Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr Sali Berisha dhe gjithë deputetëve të opozitës që të mos e respektojnë orarin e fillimit të punimeve të kuvendit, por të zhvillojmë së bashku homazhe te Memoriali i Azemit, si nderim, por edhe si shënjë e parë e mosrespektimit të kësaj legjislature të vjedhur.
Beteja që kemi para ne të Djathtët është shumë e vështirë përfshirë edhe atë parlamentare.
Le ta nisin këtë betejë 50 deputetët tanë duke u betuar në vendin ku Azem Hajdari vaditi tokën amë me gjakun e tij për Liri e Demokraci.
Le ta nisin me vonesë deputetet tanë seancën duke e hapur atë me një minutë heshtje për Azem Hajdarin.

