Partia Demokratike ka depozituar në Kolegjin Zgjedhor padinë për të kundërshtuar vendimin që vulosi 83 mandatet e shumicës qeverisëse të Edi Ramës.
Partia Demokratike kndërshton vendimin e Komisionit Rregullator, i cili shpalli rezultatin përfundimtar të 11 majit.
Në padi, e cila mban firmën e përfaqësuesit ligjor Franci Nuri, PD-ASHM kërkon rrëzimin e vendimit të KQZ-së dhe mosnjohjen e rezultatit zgjedhor, me argumentin se procesi është shoqëruar nga shkelje të rënda ligjore dhe problematika që e bëjnë atë ‘jo të lirë dhe jo të ndershëm’.
Në dokumentin e paraqitur, opozita rendit një sërë shkeljesh që, sipas saj, u evidentuan gjatë procesit:
-përdorimi i burimeve publike në fushatë,
-intimidimi i votuesve,
-patronazhistët,
-shpërdorimi i administratës publike,
-fenomeni i blerjes së votës dhe ndikimi i grupeve kriminale.
Në mënyrë të veçantë, PD-ASHM nënvizon se në qarkun Tiranë problematikat kanë qenë më të theksuara, për shkak të përqendrimit të popullsisë dhe administratës, por se fenomene të ngjashme janë konstatuar edhe në qarqe të tjera si Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Fier, Korçë e Dibër.

