Qeveria Rama planifikon të tarifoje qytetarët për tunelin e Llogorasë me një pagesë 10 € për vetëm 5.9 km, duke e shndërruar atë në segmentin më të shtrenjtë të rajonit.
Ky është një investim i financuar plotësisht me taksat e shqiptarëve, mbi të cilin janë vjedhur rreth 50 milionë €, dhe tani shqiptarët detyrohen të paguajnë sërish sa herë që kalojnë aty.
Për krahasim, në Itali, vendi me një nga rrjetet më të përparuara të autostradave në Europë, qytetarët paguajnë mesatarisht 8.5 € për 100 km autostradë, me standarde shumë më të larta dhe tunele që kalojnë edhe 10 km. Rama, përkundrazi, kërkon 10 € për vetëm 5.9 km, për një rrugë që nuk është as autostradë, por një rrugë interurbane dytësore me probleme të shumta teknike.
Me sa kuotohet, ky tunel nuk është ndërtuar për interesin e qytetarëve të Vlorës dhe të Shqipërisë. Ky tunel u ideua, u lobua dhe u ndërtua për t’u shërbyer klientëve të qeverisë Rama, të lidhur me pushtetin, që çdo projekt e kthejnë në fabrikë parash për veten e tyre.
Tuneli i Llogorasë nuk është dhuratë për qytetarët, është një tjetër skandal, një tjetër skemë grabitjeje, një tjetër tradhti e qeverisë Rama ndaj interesit publik.
Sot shqiptarët shohin qartë, çdo kilometër rruge kushton jo vetëm më shtrenjtë se kudo në Europë, por mbi të gjitha kushton lirinë e tyre për të mos u grabitur nga qeveria që i ka rrënuar ekonomikisht.

