Nga Xhevat Mustafa
Prej disa ditësh shumë pyje, shtëpi, bagëti e pasuri të tjera të Shqipërisë nëpër periferi të qyteteve, mbi kodra e në pyje janë duke u bërë shkrumb e hi nga zjarret. Për t’i shuar janë angazhuar disa makina zjarrfikëse e forca njerëzore, ushtarake e civile, që po bëjnë përpjekje të lavdërueshme e disa, deri në rrezikimin e trupave e të jetëve . Arsyeja se përse zjarret tek ne shpërthejnë dhe zgjasin më gjatë si kohë dihet edhe nga fëmijët. Ashtu si prej shumë vitesh, krahas mungesës së shpirtit njerëzor dhe përgjegjshmërisë së disa individëve barbarë, që arrijnë të vrasin edhe kuaj të egër apo të lirë në natyrë e t’u vënë zjarrin drurëve e pemëve, nuk kemi si vend e si shtet edhe aeroplanë dhe helikopterë për t’i shuar nga ajri. Sepse, sipas justifikimit qeveritar “jemi shtet i varfër” e nuk kemi 7- 10 milionë euro për të blerë 2- 3 copë avionë zjarrfikës Fire Boss, siç kanë edhe vendet fqinjë Greqia, MV, Mali i Zi…Por, po ne “shteti i varfër” jemi i pasur për punë, projekte e “kryevepra” të tjera që i teken trurit kryeministror.
– Kemi 120 milionë euro për t’i paguar Becchettit për faj të një firme kapricioze apo autoritariste të Edi Ramës!?
– Kemi 190 milionë euro për të ndërtuar pistën e garave të automobilizmit në Elbasan!?
– Kemi dhjetra milionë euro në muaj për të paguar vetëm me paga e plot, me punë vetëm në letrat e borderove, rreth 220 mijë njerëz si punonjës administrate ose si patronazhistë ose 1 në 10 banorë, kur shumica e vendeve të tjerë të BE- së këtë raport e kanë 1 me 500-1000 banorë?!
– Kemi miliona euro për të paguar sa frëngu pulën këshilltarë ndërkombëtarë për trurin kryeministror!
Shkurt e SHQIP: Shqipëria digjet, në plot zyra të “piramidës të qeverisjes” krihen ose nëpër plazhe nxihen, prej shumë vitesh çdo verë, sepse përparësitë e kësaj qeverie nuk janë mbrojtja dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve, por fasadat, vitrinat, luksi, qejfet e pushtetit!?
Ndërsa justifikohet se është shtet i varfër e nuk ka ku t’i gjejë në buxhetin e tij 10 milionë euro për 3 avionë apo helikopterë zjarrfikës, po nga buxheti i këtij shteti varfanjak, krahas për ata që u përmendën më lart, janë gjetur e gjenden:
– Miliarda euro për kulla 40- 60 katëshe; për komplekse hotelesh, supermarketesh, vilash…, në periferi të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Sarandës, Lezhës, Velipojës…
– 6 milionë dollarë për satelitët “Albania-1” dhe “Albania-2” – me qira, jo në pronësi përfundimtare.
– Deri në 8 milionë euro për dronët “Bayraktar TB2” – që mund të përdoren në frontet e Ukrainës e të Palestinës (Gazës), veç jo për emergjenca si kjo.
– 2 miliardë euro kontrata PPP në 13 vjet – shumë prej tyre projekte luksi ose të përfolura e të dyshuara jo krejt pa baza për korrupsion.
-350 milionë euro për inceneratorë fantazmë, që më shumë djegin letra milionësh se sa plehra të vërtetë.
– 60 mijë dollarë në ditë prej dy vitesh për TEC-et lundrues e mbi 50 vjeçarë në Vlorë, dhuratë nga Yuri Kim për shoqërinë amerikane Exelerate Energy, nga të cilët Shqipëria më shumë humb se sa fiton!?
-30 mijë euro në muaj për larje makinash nga ministritë e Belinda Ballukut, Ogerta Manastirliut dhe Blendi Gonxhes.
– 5 milionë euro të shpenzuara për “Parkun Eden” në oborrin e Kryeministrisë – për të çlodhur trurin e rraskapitur më shumë për hallet e botës se të shqiptarëve Edi Rama me ekipin e tij kryeministror!?
– 10- 20 milionë euro për 1 km autostradë në terren fushor me 2 korsi krahu e me disa tunelë të vegjël, kur në Gjermani, Francë, Belgjikë, Holandë…, me 4 korsi krahu, kushtojnë rreth dy herë më lirë!?
Natyrisht kësaj liste mund t’i shtohen fakte të tjerë të përafërt për nga vlerat e humbura e për nga karakteri korruptiv…
Është e kuptueshme se Edi Rama me shoqe e shokë kanë gjet shesh e prej 12 vitesh po bëjnë përshesh. Po viktimat e tyre, që vazhdojnë t’i duan, mbështesin, votojnë…deri kur do të vazhdojnë t’i lejojnë të hedhin valle mbi jetët e trupat e tyre e të krihen, ndërsa ata prej 80 vitesh mashtrohen varfërohen, vidhen, ikin si emigrantë nëpër botë dhe digjen?!

