#Reagim
Kalova me makinë nga Bari në Agropoli, një qytet i vogël bregdetar afër Salernës. I bie nga lindja në perëndim, nga Adriatiku në Mesdhe. Gjithë rruga me qendra të banuara, kodra e male të mbushur me pyje të dendur. Asnjë vatër zjarri apo qoftë edhe tym nuk pashë.
Ndërkohë Shqipëria që nuk është më e madhe se regjioni i Napolit, cep më cep nën pushtetin e flakëve. Vërtetë janë heronj punonjësit e zharrfikseve. Heronj se sakrifikojnë jetën e tyre. Por nuk janë zgjidhja. Si ka mundësi kjo përhapje si me regji, zjarre në Lezhë, Mirditë, Mat, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Sarandë, e kudo? Të na e kishte shkaktuar një vend tjetër do ishim në luftë me të.
E gjithë situata është përgjegjësi e shtetit dhe e shoqërisë. Dispozitat penale që rregullojnë këtë veprimtari kriminale janë të lehta. Në të shumtën e rasteve zjarrvënja është pakujdesi, që kalon lehtë për shkaktarët. A kemi ne dispozita penale që ndikojnë në parandalimin e zjarrvënjes? Në varësi të dëmit të shkaktuar, a duhen ashpërsuar dispozita penale?
Jemi në kohën e diskutimit të Kodit Penal të ri. Ja një fushë ku duhet ashpërsuar ndëshkimi penal.
Të shohësh Liqenin e Luleve në Lurë, atë perlë natyrore që nuk gjendet kund, të bërë shkrumb e hi sapo kishte rinis rigjenerimin, s’ka ma krim. Të shohish Borshin e Bregun në flakë, Shëngjinin në flakë, Lurën në flakë, Sarandën në flakë, është fatkeqësi e përmasave kombëtare. Jo vetëm ashpërsimi i dispozitave penale, por u duhet shpallur luftë atyre që e shkaktojnë. Edhe kur merr sopatën për të hyrë në pyll, ka një thënje “kujdes se të nem pylli”. Ç’po ndodh me ne? Nëse ka mbetur i jetueshëm ky vend gjatë gjithë historisë, përpos rezistencës njerzore, ka qënë mrekullia natyrore, në një pëllëmbë vend gjithshka ka nevojë njeriu.
Nuk jam i sigurtë, për sa kohë nuk ka një hetim, por duket se ka duar të zeza që duhen goditur pa mëshirë. Shërbimi informativ, në rast se punon për këtë vend, duhet ta ketë në fokusin e punës së tij, sepse po shkatërrohet natyra e mrekullueshme burim i pashtershëm ekonomie të vendit. Ndërkohë paratë për propagandë “Shqipria 2030” tuj fik zharrin me shkurre, e shetitje me çarter të kryeministrit, të kthehen në pagesa vrojtuesish e mjetesh zjarrfikëse, e sigurtë se nuk do ishte kjo gjendje katastrifike.
Zjarrvënja nuk luftohet vetëm me zjarrfikësa, por me masa parandaluese e ndëshkuese pa mëshirë.
Agropoli
28.07.2025

