Mësuesit që janë përjashtuar nga rritja e pagës kanë plotësisht të drejtë – pavarësisht se beteja ligjore nuk ua njohu. Disa fakte të pakundërshtueshme që nuk kanë nevojë për interpretime lidhen me të një drejtë të gëzuar dhe me një praktikë të konsoliduar prej shumë vitesh, bazuar në formim akademik, përvojë dhe kontribute të dëshmuara.
Neni 120 i ligjit të mbrapshtë 80/2015 u mohoi këtë të drejtë mbi 11 000 mësuesve – një padrejtësi që duhej të ishte ndrequr prej kohësh, pa i sorollatur më tej përçuesit e dijes.
Pushteti që firmos dhjetëra urdhra dhe vendime, edhe brenda ditës, me një lehtësi të paimagjinueshme kur interesat e ngushta ia diktojnë, nuk e gjeti vullnetin për të përmirësuar padrejtësinë që u bë ligj e që preku jetët dhe motivimin e 1/3 së mësuesve të sistemit parauniversitar në vend, sepse si gjithmonë kur është fjala për mësuesit partia kërkon heshtje e nënshtrim, sepse heshtja është më e lehtë për t’u administruar sesa zëri i tyre, sepse një mësues i injoruar është më pak i rrezikshëm sesa një mësues i motivuar.
Refuzimi për të amenduar këtë nen, që nëpërkëmb mijëra mësues tregon krejt qartë se interesi i pushtetit shkon në krahun e kundërt të interesit publik.
Sot, strukturat përfaqësuese të mësuesve bashkë me komunitetin mësimdhënës- jo vetëm ata që janë diskriminuar nga paga e grupit të bazuar në VKM nr. 425- duhet të flasin njëzëri për të rikthyer një të drejtë të fituar me mund dhe përkushtim.
Një e drejtë që është gëzuar prej vitesh, nuk mund të zhbëhet nga një vendim gjykate, as nga një nen i ftohtë ligjor dhe kjo nuk është betejë thjesht për shifra, por për dinjitetin e udhërrëfyesit të dijes që mban në këmbë kombin, edhe pse vetë shteti i ka kthyer shpinën.

